Përkujtohet heroi Mehë Uka
Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri, i shoqëruar nga drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Bahtir Maxhuni, Rafet Ibishi, kryetar i OVL së UÇK-së si dhe përfaqësuesit nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, kanë vendosur buqeta me lule te shtatorja e heroit të kombit, Mehë Uka, në sheshin e qytetit, me rastin e 26-vjetorit të rënies së tij heroike, për të vazhduar më pas edhe me homazhe tek varri i heroit në Bajgorë.
Përmes këtyre homazheve, përfaqësuesit komunal kanë përkujtuar sakrificën sublime të heroit të kombit Mehë Uka, i cili dha jetën e tij për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.
Ndërsa, nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, ka theksuar se sot së bashku me përfaqësues komunal, familjarë të dëshmorit si dhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, përkujtojnë sakrificën dhe veprën e tij për liri dhe pavarësi, si dhe luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Lavdi heroit Mehë Uka, lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit”, është shprehur nënkryetari Tahiri.