Përkujtohet ish-kryetari i Klinës, Ismet Rraci
Sot, është përkujtuar ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Klinë, njëherësh ish-kryetari i komunës së Klinës Ismet Rraci.
Nën organizimin e kryetarit të Degës së LDK-së në Klinë, Fadil Gashi, homazhe kanë bërë te varri i tij në Siqevë dhe para bustit të tij, në emër të kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri, deputetja e Kuvendit të Kosovës Mirjeta Kalludra dhe drejtori i Administratës së LDK-së, Selver Doda, e bashkë me ta edhe familjarë dhe qytetarë të Klinës.
“Ismet Rraci ishte një ndër themeluesit e LDK-së dhe mik i ish-presidentit Rugova. Vrasja e tij ishte e rëndë jo vetëm për familjarët por edhe për gjithë qytetarët e Klinës dhe Kosovës. Ismet Rraci ishte gjithmonë afër qytetarëve të tij, pavarësisht kohës së vështirë dhe rrethanave të tilla, atë e vranë në mënyrë tinzare sepse iu shërbente qytetarëve të Klinës në përpjekje për t’ua bërë jetën më dinjitoze. Rraci do të mbahet mend për guximin intelektual dhe qytetar në shërbim të qytetarëve të Komunës së Klinës dhe atdheut. Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të kërkoj drejtësi për vrasjen e Ismet Rracit dhe të gjithë veprimtarëve të tjerë”, është thënë në njoftimin e LDK-së.
/Epoka e re/