
Përkujtohet masakra në rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë
14 prill 2025
| 14:29
Në përvjetorin e 26-të të masakrës në rrugën e Kovaçëve, qytetarë, përfaqësues institucionalë dhe familjarë të viktimave u mblodhën për të nderuar kujtimin e 31 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri, së bashku me drejtorë komunalë, vendosën buqeta me lule dhe bënë homazhe pranë pllakës përkujtimore, ku janë të gdhendur emrat e viktimave të kësaj masakre.
“Sot jemi mbledhur këtu për të bërë homazhe dhe për të kujtuar viktimat e masakrës në rrugën e Kovaçëve – një nga plagët më të mëdha të qytetit tonë. Për çdo vit kujtojmë vrasjen e civilëve të pafajshëm në këtë lagje dhe bashkëndjejmë dhimbjen me familjet e tyre”, tha nënkryetari Tahiri.