Përkujtohet Oliver Ivanoviqi
Në Mitrovicën Veriore është shënuar përvjetori i parë i vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Familjarë, bashkëpunëtorë të afërt dhe qytetarë në Mitrovicën Veriore, kanë vënë kurora dhe kanë ndezur qirinj në vendin ku është vrarë Ivanoviqi.
I pranishëm ka qenë edhe ministri i Tregtisë i Qeverisë së Serbisë, Rasim Ljajiq.
Të pranishmëve u është drejtuar vetëm bashkëpunëtorja e ngushtë partiake, Ksenija Bozhoviq, e cila ka theksuar që përveç fjalimeve politike dhe polemikave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me ndërmjetësimin dhe mbikëqyrjen e bashkësisë ndërkombëtare, vrasësi mbetet ende i panjohur.
“Fatkeqësisht, të gjithë jemi memecë. Kjo torturë dhe heshtje që po mbretëron pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, siç e shihni, është e pranishme edhe sot në këto hapësira. Nuk ekziston më zëri i arsyes dhe nuk ka kush që të na trimërojë”, ka theksuar Bozhoviq.
Ajo ka falënderuar ministrin serb Ljajiq, i cili që nga vrasja e Ivanoviqit, u ka qëndruar afër, por edhe përfaqësuesit e tjerë të serbëve të Kosovës.
Nga Lista Serbe nuk ka qenë askush i pranishëm në shënimin e përvjetorit të vrasjes së Ivanoviqit.
Oliver Ivanoviqi, lider i nismës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, është vrarë me 16 janar të vitit 2018, para zyrës së partisë së tij në Mitrovicën Veriore.
Policia e Kosovës, me 23 nëntor të vitit 2018, gjatë një aksioni në Mitrovicën Veriore, ka arrestuar tre persona, të cilët dyshohet se janë të ndërlidhur me vrasjen e Ivanoviqit. Milan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, nuk është gjetur në banesën e tij, gjatë aksionit të policisë dhe ai ende po ndiqet nga policia. /Gazeta Express/