Përkujtohet piktori Kadri Kadriu

12 mars 2018 | 11:55

Familjarë, poetë, artistë të profileve të ndryshme, si dhe qytetarë, kanë marrë pjesë të dielën, në 19-vjetorin e vrasjes të artistit dhe poetit të mirënjohur mitrovicas Kadri Kadriu, i cili u ekzekutua nga forcat serbe më 1999 gjatë luftës në Kosovë.

Ata bënë homazhe tek varri i piktorit, ndërsa kanë vizituar edhe familjarët e tij në kullat e familjes Kadriu te ‘Kroi i Vitakut’ në veri të Mitrovicës.

Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë, Tafil Peci, ka bërë me dije para familjarëve të të ndjerit se është aprovuar kërkesa e tij e drejtuar para një viti e gjysmë ministrisë përkatëse, për shndërrimin e katit të tretë të shtëpisë së të ndjerit në një galeri, ku do të ekspozohen veprat e piktorit të ndjerë Kadri Kadriut.

Ndërsa piktori dhe miku i tij, Ali Bejta, duke kujtuar  jetën dhe veprën e të ndjerit, veç tjerash ka potencuar edhe aftësitë e shkëlqyeshme prej organizatorit të piktor Kadriut, të cilat mundësuan mbajtjen gjallë të kulturës dhe artit në ato kohëra të vështira.

Edhe profesori i artit Sejdi Zeka, ka evokuar kujtime për jetën dhe veprën e piktor Kadriut, duke thënë se kontributi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm.

Sipas tij, Kadriu mbetet pano prijëse për gjeneratat e reja.

Në anën tjetër, Ali Kadriu, vëllai i të ndjerit, ka falënderuar në emër të familjes qeverinë, për mundësinë e krijimit të një galerie në shtëpinë e tyre, që siç u shpreh ai, do të shërbejë për ruajtjen e veprave të të ndjerit, por edhe ekspozimin e veprave të ndryshme të komunitetit artistik.

Ai ka kërkuar nga institucionet që të bëjnë më shumë për ata të cilët dhanë jetën e tyre për çlirimin e vendit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duket normal si çdo punonjës tjetër i veshur me kostum…