Përkujtohet Qani Mehmedi në gjashtëvjetorin e vdekjes
Sot me datë 18 korrik në orën 9:00 në varrezat e fshatit Drogomisht i Vogël, në Kërçovë, në vendprehjen e ikonës së gazetarisë mbarë shqiptarë u kujtua gazetari dhe publicisti Qani Mehmedi. Në mesin e familjes së ngushtë, ishin dhe miqtë e tij gazetarë nga Kërçova si dhe lideri i shqiptarëve Ali Ahmeti dhe kryetari i komunës z, Fatmir Dehari. Gazetari Sadik Emroja foli disa fjalë për Qani Mehmedin dhe biografinë e tij të ngjeshur duke theksuar se ai ishte shkollë gazetarie dhe themelues i mediumit të parë në Kërçovë. Me disa fjalë e kujtoi kryetari i komunës z. Fatmir Dehari i cili theksoi rolin e Qaniut në ndikimin e ish gjeneratave që studionin në Prishtinë, në mesin e tyre dhe të kryetarit Dehari me të cilët çdoherë diskutonte për çështjet e ndjeshme dhe avancimin e statusit shqiptar në Maqedoninë e Veriut duke u bërë drejtpërdrejt pjesë e procesit dhe propagandës mediale të luftës në Maqedoni kur në Radiotelevizionin e Kosovës për herë të parë Qaniu e pohoi vyeshëm se në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet luftë e drejtë nga Ushtri Çlirimtare dhe jo nga grupe terroriste siç pretendohej të quheshin.
Lideri Ahmeti theksoi rëndësinë e veprimtarisë së Qani Mehmedit në proceset më të vështira për shqiptarët duke përfshirë luftën e Kosovës dhe Maqedonisë, profesionalizimin e tij në profesion dhe ndikimin e jashtëzakonshëm në çështjet me rëndësi jetike për shqiptarë. “Qaniu i mungon familjes, shoqërisë, profesionit dhe shqiptarëve” tha lideri Ahmeti.
Në emër të familjes të pranishmit i përshëndeti vajza Besiana e cila falënderoi të pranishmit duke theksuar që për të mbetet e rëndësishme që porositë e tij ti realizoje: të qëndrojë vertikalisht siç dëshironte ai përballë çdo sfide e vështirësie, të jetë falënderuese për të gjithë ata që këto vite qëndruan pranë familjes në ditë të lumtura e të vështira sepse babai i saj konsideronte virtytin më të lartë njerëzor, falënderimin. Ajo tha se dashurinë për vendlindjen e saj për të cilën kishte ushqyer e mbjellë aq shumë dashuri sa ishte në jetë babai Qaniu do ta ruajë përjetësisht. ”Falënderoi në mënyrë të veçantë liderin Ahmeti i cili mbetet njeriu shumë i çmuar i familjes Mehmedi dhe kryetarin Dehari si rrallë kryetar di të çmojë vlerat dhe personalitetet e vendit”
Në fund kryetari i Myftinisë së Kërçovës Qamil Rushiti dhe sekretari i Myftinisë, Xhemail Ahmeti bënë lutjen-duanë në shqip për shpirtin e Qaniut ndërkaq të pranishmit vendosën kurora lulesh ku surprizë e kësaj date të shënuar ishte mbesa Uskana e veshur me një bluzë me fotografinë e tij si simbolikë që gjeneratat e reja do të rriten me modele të tilla të përkryera që kaluan në simbole të profesioneve të tyre.