Përkujtohet Refki Fekaj që kishte rënë në minat serbe në oborrin e shkollës (Foto)
Shkolla fillore “Vëllezërit Frashëri” në fshatin Qubrel të Komunës së Skenderajt ka përkujtuar nxënësin Refki Ramdan Fekaj, i cili ka humbur jetën 20 vjet më parë nga minat të cilat ishin vendosur nga forcat serbe në oborrin e kësaj shkolle.
Në nderim të jetës së Refkiut, kjo shkollë ka organizuar një ceremoni përkujtimore. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë përpos familjarëve, nxënëseve edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Fadil Beka, ish-komandanti i Brigadës 112 “Arben Haliti”, Jetullah Geci, përfaqësues të Komunës së Skenderajt, drejtori i shkollës fillore “Vëllezërit Frashëri”, Florim Rrustemi, dhe mysafirë të tjerë.
Gjatë kësaj ceremonie është folur për jetën e Refkiut, sakrificën e familjes Fekaj dhe të popullit shqiptar në përgjithësi për liri dhe pavarësi.
Po ashtu, gjatë kësaj ceremonie është mbajtur edhe një program kulturoro-artistik nga nxënësit e kësaj shkolle.
Pas kësaj ceremonie, drejtori i shkollës “Vëllezërit Frashëri”, Florim Rrustemi, ka rrëfyer ngjarjen se si ka rënë në mina Refkiu së bashku me shokët e tij. “Tre shokët e tij plagosen rëndë ndërsa për Refkiun plaga ishte vdekjeprurëse. Ai ka jetuar tri ditë pas plagëve dhe ka vdekur në spitalin e Prishtinës”, ka treguar Rrustemi.
Refki Fekaj është përkujtuar edhe nga shoku i tij i klasës, Driton Syla. Ai ka thënë se çdo ditë e kujton momentin kur ka rënë në mina shoku i tij, Refkiu. “Çdo ditë jetoj edhe eci përpara me kujtimin e asaj dite, duke u munduar t’i jetojë dy jetë, jetën time që ma ka falur Zoti dhe jetën për shokun tim i cili nuk pati fatin ta jetojë”, ka thënë Syla.
Edhe babai i Refkiu, Ramadan Fekaj, ka përkujtuar djalin e tij, i cili ishte më i vogli në familje.
Ai ka thënë se gjatë gjithë luftës ka qenë bashkë me Refkiun, duke mos u ndarë në asnjë moment. Fekaj ka thënë se askush nuk e kishte menduar se serbët kishin vendosur mina në oborrin e shkollës.
Babai i Refkiut ka thënë se pas përfundimit të luftës, djali i tij me shokët ka shkuar për ta vizituar nga malli shkollën e fshatit ku edhe kanë rënë në mina. Ai ka thënë se falë gjakut të dëshmorëve dhe martirëve Kosova është duke i gëzuar frytet e lirisë.
Në oborrin e shkollës fillore “Vëllezërit Frashëri” gjendet pllaka përkujtimore kushtuar Refki Ramdan Fekajt, i cili kishte ndërruar jetë në moshën 11-vjeçare.
/Epoka e re/