Përkujtohet rektori Ejup Statovci, kërkohet që një institucion i lartë arsimor, një shesh dhe një rrugë të mbajnë emrin e tij
Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka organizuar sot orë përkujtimore në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së rektorit të UP-së, Ejup Statovci.
Aty u mbajt një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprës së rektorit Ejup Statovcit.
Prorektorja në Universitetin e Prishtinës, Myrvete Badivuku, ka thënë se figurat si profesor Ejup Statovci mbetën gjatë në histori.
“Jam e nderuar që në emër të rektorit Marjan Dema, të shpreh respektin për një figurë madhore të kombit shqiptarë, për një udhëheqës aq të guximshëm. Figurat si Statovci janë figurat ku historia shkruan faqe të veçanta, ishte pranë universitetit dhe popullatës. Profesor Statovci la shumë kujtime për ata që e kishin pranë. Sot po e rikujtojmë, po rikthehet edhe dhimbja jonë për mungesën e tij”, ka deklaruar ajo.
Ish-bashkëpunëtori i profesor Statovcit, Avdullah Aliu, ka pohuar se është i nderuar që ka punuar me të në kohën më të vështirë për botën akademike në Kosovë.
“Prof Statovci me kushte të vështira dhe me vullnet të lartë arriti ta kryente doktoratën dhe të hynte profesor në universitetin e Prishtinës. Krijimtaria shkencore ka një kontinuitet dhe nuk ndryshoi as nga politika, ai kontribuoi edhe në afirmimin e kuadrove të reja, ai u angazhua edhe në aktivitete për liri, barazi dhe pavarësi të Kosovës”, ka thënë ai.
Dekani i Fakultetit Filozofik të UP-së, Bujar Dugolli që është njëri ndër udhëheqësit e protestave studentore në kohën e trazirave në Kosovë, ka thënë se Ejup Statovci ka qenë një figurë e respektuar në mesin e studentëve dhe një shtyrje që ata t’u bëjnë ballë situatës së krijuar.
“Suprimimi i autonomisë i suprimoi të gjitha institucionet poashtu edhe UP-në. Profesori Statovci u bëri thirrje i intelektualëve që të mos i pranonin masat e Serbisë dhe të bëheshin pjesë e i institucioneve paralele që ai i quante Republikë. Mbrojtja e UP-së nga regjimi i Millosheviqit, ishte intelektual që u arrestua, u maltretua, por asnjëherë nuk hoqi dorë nga pozita e rektorit në UP, kjo ishte shtyrje për neve studentëve, ishte mbrojtja e Universitetit të Prishtinës nga ndikimet politike”.
“U bënte ballë edhe divergjencave në egzil dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ai thoshte që ne duhet të qëndronim të pavarur, ai poashtu dështoi të ashtuquajturën reformën në arsim që u nënshkruan nga Millosheviqi dhe Presidenti Rugova ku historia e tregoi që kjo marrëveshje ishte e dëmshme dhe tentonte të përçante politiken në Kosovë”, ka deklaruar Dugolli.
Ndërkaq, Muhamet Mavraj, njëri ndër udhëheqësit e protestave studentore dhe ish-kryetar i Kuvendit të Unionit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, ka kërkuar sërish si para do vitësh që një institucion i lartë arsimor, një shesh meritor dhe një rrugë të mbajnë emrin e rektorit Ejup Statovci.
Po ashtu, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së rektorit të UP-së, Ejup Statovci, një delegacion, ku ishin të pranishëm edhe bashkëpunëtorë të tij vendosën lule mbi varrin e Statovcit.