Përkujtohet shkrimtari dhe veprimtari i çështjes kombëtare Ramadan Haziri

15 shtator 2019 | 15:43

Në ambientet e teatrit “Adriana” është përkujtuar jeta dhe vepra e veprimtarit të çështjes kombëtare, shkrimtarit e personalitetit poliedrik, Ramadan Haziri.

Familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të të ndjerit fillimisht kanë bërë homazhe në varrezat e fshatit Muhoc ku prehet përjetësisht veprimtari Haziri, kurse në akademinë përkujtimore të organizuar nga Klubi i Intelektualëve “Ferizaj” me kumtesa të pranishmëve u janë drejtuar bashkëpunëtorët, letrarët, publicistët e intelektualët ferizajas, Haki Shaqiri, Ramush Tahiri, Enver Zhinipotoku, Ismet Aliu dhe miku i tij, Agim Gjakova.

Në fjalën e tij në këtë akademi përkujtimore, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka vlerësuar personalitetin e Ramadan Hazirit dhe sakrificën që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës së tij.

“Çfarë të them për burrin që vetëm flijimi është fjala që përthekon dimensionin e tij njerëzor e patriotik. Ishte kohë zezonash, kur mbi qiellin e Kosovës flakëronin kuçedrat e tiranisë, baca Dan ishte luftëtari heroik, tamam si në rrëfenjat e moçme, që valëviti flamurin tonë të ngadhënjimit. E sot, kur ka një vit që kocka e tij pushon në dheun që e mati me gram me gjakun e trupin e tij, rron e flet kujtimi. Rron kujtimi për rebelin e pandreqshëm të fateve tona kombëtare, rron besa e lidhur fort me amanetin e paraardhësve se ky vend e njerëzit e tij, as nuk shiten as nuk blihen. Rron qëndresa se një komb nuk mund të shtypet nga pallatet hijerënda e ogurzeza të armikut. Rron shpresa në gjenin e të rinjve se shembuj si baca Dan pati shumë Kosova, e do të ketë përherë ky vend i ynë i bekuar. Grilat, prapa së cilave u gjend ky kumtues i lirisë nuk mundën as ta fyejnë, as ta poshtërojnë, as ta demotivojnë, as ta përkulin, as edhe ta zhbëjnë mishin e shpirtin e tij, që rëndshëm peshon në historinë tonë të re kombëtare”, ka thënë Aliu.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ora do të ndryshojë sërish edhe pse ishte thënë se…