Përkundër kërcënimeve, Guaido i vendosur të kthehet në Venezuelë
Lideri i opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, ka thënë të enjten se planifikon të kthehet në vend përkundër kërcënimeve kundër tij dhe familjes.
Duke folur para medieve pas takimit me presidentin e Brazilit, Jair Bolsonaro, Guaido ka thënë se nuk ka asnjë mundësi të dialogut me qeverinë e presidentit të kontestuar Nicolas Maduro, pa e përfshirë në bisedime edhe çështjen e zgjedhjeve.
Ndërkaq presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka thënë se shpreson në rikthimin e një Venezuele “të lirë, demokratike dhe prosperuese”.
Në ndërkohë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të votojë dy rezoluta të kundërta për Venezuelën.
Njëra është e sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe mbështet liderin e opozitës Juan Guaido dhe tjera nga Rusia që mbështet presidentin e kontestuar, Nicolas Maduro.
E para do të votohet rezoluta e ShBA-së dhe sipas gjitha gjasave do të përballet me veton e Rusisë.
Votimi është paraparë të bëhet të enjten në mbrëmje.
Nuk është e qartë nëse edhe rezoluta e Rusisë më pas do të marrë nëntë votat “pro” për të kaluar në Këshillin e Sigurimit.
Rezolutat rivale reflektojnë ndarjet e thella në Këshillin e Sigurimit lidhur me konfliktin politik në Venezuelë, vend ky që po përballet me kolapsin ekonomik dhe një krizë humanitare.
Uashingtoni dhe Moska janë duke përkrahur palë të ndryshme në shtetin e Amerikës Jugore.
Shtetet e Bashkuara përkrahin liderin opozitar, Juan Guaido, i cili ka shpallur veten president të përkohshëm derisa Rusia është e lidhur me Maduron.
Maduro ka nisur udhëheqësinë më 2013, derisa ka fituar një tjetër mandat presidencial në maj të vitit 2018, të cilat janë bojkotuar nga opozita dhe janë kritikuar nga faktori ndërkombëtar.
Ai është përballur me akuza edhe për abuzime me të drejta të njeriut si dhe për keqmenaxhim të ekonomisë së Venezuelës.