Përkundër kritikave të opozitës, emërohen anëtarët e Komisionit për jurisprudencë
Me 70 vota për dhe 1 votë kundër, Kuvendi i Kosovës ka emëruar anëtarët e Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës, përkundër kërkesave të opozitës që të tërhiqet ky propozim.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës i ka propozuar anëtarët për Komisionin për dhënien e provimit të jurisprudencës, përbërja e së cilit është: Albert Zogaj, Drita Rexhaj Valbona Dishaj Haxhosaj, Afrim Shala, Zenel Leku, Edijesa Zahiri, Halide Reka, Bajram Miftari, Hajriz Hoti dhe Nenad Lazic.
Haxhiu ka thënë se nuk mund të propozojë anëtarë që e kanë shkatërruar sistemin e drejtësisë.
“Komisionit të kaluar i kanë shkuar emra se kush duhet ta kalojë provimin. Këta të rinjtë nuk kanë me pranuar lista. Jam përkujdesur që anëtarët e përzgjedhur të kenë integritet profesional e moral”, ka thënë ajo.
Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka kërkuar nga ministrja Haxhiu që ta tërheq këtë propozim.
Ai ka thënë kryesuesi i këtij komisioni, Albert Zogaj, ka konflikt interesi sepse sipas tij mban edhe disa pozita të tjera dhe kjo ia pamundëson mbajtjen e kësaj pozite.
“Për informimin tuaj z. Zogaj, përveç ushtrimit të detyrës në Gjykatën Supreme mban një numër të madh të pozitave në sektorin gjyqësor, në sferën akademike dhe shoqërisë civile. Po i numëroj disa: gjykatës në Gjykatën Supreme, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, është anëtar rezervë në Komisionin e përhershëm për administrimin e gjykatave, anëtar i komisioni vlerësues për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren, anëtar i grupit punues për hartimin e raportit faktmbledhës për funksionimin e administratës gjyqësore. Ai po ashtu është ligjërues në Kolegjin AAB dhe trajner në Këshillin Gjyqësor të Kosovës”, ka thënë Beqa.
Edhe deputetët Driton Selmanaj nga LDK-ja dhe Besnik Tahiri nga AAK-ja kanë kërkuar nga Haxhiu që ta tërheq propozimin për votimin e anëtarëve të Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës.