Përkushtimi për qytetarin duhet të jetë prioritet e jo alternativë
Shkruan: Hisen Berisha
Nuk meritojnë votën e qytetarit për pushtetin lokal ata që deklarohen, “ja ku jam, po deshët më votoni, përndryshe unë kam ku të kthehem, se e kam ngrirë/rezervuar pozitën por garimin po e bëj më të mirën tuaj përndryshe unë nuk kam ndonjë interes se veç jam shumë mirë në pozitën e deputetit, ministrit apo drejtorit në dikasterin e caktuar”
Nuk meriton votën, as ai person që braktisë pozitën qeverisëse që ka peshë për jetën, mirëqenien e qytetarit dhe sigurinë.
Ikja nga përgjegjësia dhe dorëheqja nuk janë virtyte. Kjo është veti e personave qe nuk ndjejnë përgjegjësinë as brejtje të ndërgjegjes si mase.
Referimet e qeverisjes aktuale ndaj asaj çfarë kanë bere qeveritë e kaluara, kur dështon të bëj mirë gjërat apo dështon të bëj fare gjënë e duhur, është tregues i mungesës se vizionin dhe vizuelizimit të asaj që pretendohet të arrihet. Kjo tregon se megjithatë po qeveriset pa ose me program të improvizuar/kopjuar, gjegjësisht i pa matur ndaj ambientit ku implementohet.
Kur filloi procesi i rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë, kryesues në nivel të shtetit u caktua ish-ministri i Mbrojtjes atëbotë, Gjenerali ushtarak Agim Çeku.
Partia e tije atëbotë, duke mos e vlerësuar objektivisht situatën e nominoj kandidat për garën për kryetar Komune në Prishtinë.
Reagimi i ekipit të DIRI (Defense Institution Reform Initiative – Instituti i Mbrojtjes Nisma për Reformim), ekipit amerikan që po ofronte dhe vazhdon ta bëj, asistencën teknike dhe profesionale për procesin e RSSS (Rishikimi Strategjik i Sektorit të Sigurisë) ka qenë tejet i trishtuar. Si ka mundësi te tërhiqet dikush nga një detyre kaq me peshë dhe përgjegjësi për vendin dhe popullin e Kosovës si sektori i sigurisë dhe mbrojtjes dhe komponentës kyçe, krijimit të FAK-ut përfshi dhe kapacitetet e sigurisë dhe standardet e veprimit në të gjitha dikasteret shtetërore, agresionet dhe edukimin qytetar në këtë fushë.
Jam munduar atëbotë, nga niveli im i përgjegjësisë dhe këndvështrimit, ta bej një arsyetim me faktin se ishte vendim partie dhe bindja është disiplinë politike. Por, asgjë nuk e arsyetonte Gjeneralin.
Ne kontekst të kësaj, po e shoh në analogji edhe tërheqjen e z.Vitia nga detyra e Ministrit të shëndetësisë për postin e të parit të Komunës Prishtinë. Hiç më me pak peshë nuk është as garimi i bartësve tjerë të përgjegjësive të ndjeshme qoftë politike apo administrative edhe të përfaqësimit në emër të votëbesimit qytetarë.
Por, kjo e Ministrit të Shëndetësisë është e një dimensioni krejt tjetër. Përderisa siguria e mbrojtja ishin dhe mbeten kompetence e PUN (Prania Ushtarake ndërkombëtare) në Kosovë, nuk kishte ndojë rrezik të drejtë për drejtë për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve. Pra, ishte angazhim për të ardhmen. Edhe pse u gjykua si shkallë e lartë e papërgjegjësisë.
Situata me pandeminë globale, po merr jetë njerëzish dhe kërkon angazhimin e tërë potencialit njerëzor e teknik për menaxhim dhe shmangie të rrezikut për jetët e qytetarëve.
Pandemia, infektimi me virus covid19, ne variantet e reja si Delta, ka mare dimension shqetësues, trishtueshëm po rritet numri i te vdekurve, shkallë enorme e të infektuarve, ndërkohë që luftëtarët e vijës së parë të përballjes me virusin si, mjeket iu është hequr edhe ajo pak mbështetje financiare me arsyetimin se ka mbaruar pakoja, ndërkohë që ligji për pandeminë si baze juridike, ende është në fuqi. Kontingjenti i vullnetarëve në infermieri që për tërë kohën e pandemisë nga Covid19, rrezikuan jetët e tyre dhe të familjeve duke ofruar mbështetje nga profesioni, janë larguar nga shërbimi i kontraktuar vullnetar, edhe në konkurs për punësim në SHSKU nuk kanë pas asnjë prioritet. Ani se ka qenë e mundur që kontratat e tyre të përkohshme të përligjen në vendime të përhershme. Zaten sektori i shëndetësisë në të gjitha nivelet dhe shërbimet ka mungesa kuadri të përgjithshëm dhe specilistike, ndërkohë që ka numër enorm specialistësh të papunë.
Nga e tërë kjo qasje, dua të vë në pah se për pushtetin vendor pra atë lokal ku supozohet se është pushteti për qytetarin , mirëqenien dhe nevojat e tij, kemi tre kategori konkurruesish për të parët e komunave.
Të parët, që duhen vlerësuar e votuar për atë që ofrojnë janë personalitetet e profileve të ndryshme shkencore, që vijnë nga shoqëria civile apo me pasaportë partish që janë për tu vlerësuar. Kjo është edhe rruga normale e kandidimit. Këtu bien edhe ish udhëheqësit lokal që ri-kandidohen.
Në kategorinë e personaliteteve që takojnë në grupin e parë të garimit korrekt, duhet përfshirë edhe ata bartës pozitash administrative shtetërore dhe pozita përfaqësimi si deputete, që për të garuar për të parët e komunave, braktisin apo dorëhiqen nga pozitat, (e jo t’i ngrijnë ato duke i mbajë si alternative, nëse do të fitojnë ose jo).
Kjo kategori tregojnë se janë të ndërgjegjshëm dhe se përkushtimi i tyre për misionin e të parit të komunës përkatëse dhe përkushtimit për jetën, mirëqenien e qytetarit është mision i shenjtë.
Në këtë format përformimi deri me tani sipas mediave është shpërfaqur vetëm deputetit i Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Uran Ismaili, i cili me të vendosur kandidaturën paraprakisht ka dorëzuar mondanit e deputetit. Me ketë edhe tregoi se përkushtimin për qytetarin e ka prioritet e jo alternative.
Të dytët, janë kategoria e deputetëve dhe titullarëve të pozitave të ndryshme institucionale në administratën e shtetit dhe në Kuvend, që i ngrijnë ato derisa zgjatë garimi dhe del rezultati. Kjo është një praktikë e gabuar të cilën e kanë bërë edhe shumë tjerë ndër vite në institucionet e Kosovës, si një praktike e keqe e keqpërdorimit të fuqisë që të jep pushteti duke krijuar edhe legjislatura të dëmshme për institucionet, ligjshmërinë, demokracinë dhe vet shtetin.
Kjo kategori që braktisni pozitat shtetërore si deputet, ministra, drejtor drejtorish në dikastere të ndjeshme qeverisëse, i ngrijnë/rezervojnë ato dhe ofrohen para qytetarëve në mënyre tejet të pandershme duke u thënë në heshtje “ja ku jam, po deshët më votoni, përndryshe unë kam ku të kthehem por garimin po e bëj më të mirën tuaj përndryshe unë nuk kam ndonjë interes se veç jam shumë mirë në pozitën e deputetit, ministrit apo drejtorit në dikasterin e caktuar”
Të tretët, janë kategoria e garuesve që braktisin pozitat shtetërore ku kanë përgjegjësi për jetët njerëzore, proceset me peshë politike dhe shtetërore.
Qytetarët duhet që ashtu siç ditën ta vlerësojnë Gjeneral Çekun atë botë, ta ndëshkojnë edhe ikjen nga përgjegjësia e Ministrit të shëndetësisë nëse e braktisë misionin që ka si ministër në pandemi dhe avancimin e shëndetësisë që nuk ka asnjë avancim teknologjik dhe as të avancimit profesional, përkundrazi po cenohet statusi edhe i mjekëve që tashmë kanë arritur të stabilizojnë profile mjekësorë operative si kirurgjia dhe fushat specifike. Është në diskrecionin e ministrit (e të tjerëve) që të vendosë nëse do të jetë sinonim i dështimit apo i shpëtimit të jetëve dhe të suksesit në shëndetësinë kosovare.
Kjo nuk mund të arrihet duke e braktisur misionin e rënde të menaxhimit me pandeminë që po rrezikon masivisht jetët e qytetarëve të vendit. Vota plebishitare e qytetarëve ishte në emër të përgjegjësisë njerëzore, institucionale dhe politike, e jo të braktisjes e ikjes nga përgjegjësia.
Është në dorën e zgjedhësve që të përcaktohen për këta kandidat, ndërkohë që duhet të kthehet në prioritet të legjislativit hartimi dhe miratimi i Ligjit për dekiriminalizimin e institucioneve dhe ligjin për lustracionin që në institucione të mos ketë njerëz që e kanë të papërfillshme shkallen e përgjegjësisë dhe ndërgjegjes që vije si rezultat i kodit gjenetik të diskutueshëm.