Perla narratologjike

04 janar 2022 | 13:20

(Recension për veprën ‘Hipnoza’ të Albin Mehmetit)

Ardona Bullatovci

Pas dy viteve që kur debutoi me librin e parë autorial, Albin Mehmeti, autori i ri shumë premtues kosovar sjell diçka të re për dashamirët e letërsisë dhe atë për dashamirët e kalitur të letërsisë.

Libri i dytë me tregime të shkurtra quhet Hipnoza, bazuar në titullin e njërit prej tyre.

Është e domosdoshme që para se të fillohet leximi i kësaj vepre të kthehet kujtesa te libri i parë Telegrami, meqë këto tregimet e dyta janë si vazhdimësi e atyre të parave. Pra, kur e ke të freskët memorien e Telegramit, mund të kesh një përgatitje për stilin e autorit. Albin Mehmeti vazhdon të shkruajë për temën e krimit, korrupsionit e degjenerimit qytetar, ngjashëm si te Telegrami.  E njëjtë është edhe toponimia e kthyer tashmë në simbol krijues, Dashamiri, Bardhjani e Livdohova. Të njëjtë janë edhe disa nga personazhet që bëjnë kapërcim nga njëra vepër te tjetra. Ndoshta mund të deklarojmë se me këtë vepër autori bën një përpjekje të krijojë një vepër sistem të tregimeve, e cila vetëm sa ka filluar.

U tërhoqën paralele të ngjashmërive me veprën e parë, mirëpo kjo s’do të thotë assesi se vepra e dytë është reprizë e së parës. Leximi krahasimtar i të dyjave qartëson kalitjen prej autori të formuar të Albin Mehmetit. Stili  bëhet si një thikë e mprehur, që e formëson çdo detaj tjetër të tregimeve. Ironia si figurë qendrore edhe më therëse, distopia shoqërore edhe më e trashë, kritika më e rreptë e krejt këto i japin veprës finalizimin gati të përkryer.

Perla e stilit  krijues të Mehmetit është ‘loja’ narratologjike, e modeluar në mënyrë shumë origjinale, që e ngrit veprën në cilësi të artit të mirëfilltë letrar. Tashmë autori po i përmbush lexuesit e shkolluar të letërsisë, e ndoshta po i huton ata të pashkolluarit, gjithsesi duke i mësuar edhe këta të fundit. Më në fund secili mund ta kuptojë rolin e narratorit në prozën tregimtare. Me këtë vepër narratori nuk mbetet më vetëm në teorinë letrare, por bëhet pjesë e praktikës letrare. Këtu kemi gjithmonë një narrator që na flet e na prezanton tregimin, i cili te lexuesit vjen si ndërmjetës mes tyre dhe autorit. Është kaq bukur e stilizuar. Madje edhe termat si narrater i implikuar, apo narrator homodiegjetik, tashmë kanë rastin t’i shohin praktikisht e t’i kuptojnë edhe gjithë lexuesit, jo vetëm ata që studiuan për letërsi. Këtu Mehmeti dëshmon edhe njëherë njohjen e tij të thellë për artin poetik, artin e fjalës së bukur. E talenti i tij prej prozatori është i padiskutueshëm.  Ai shkëlqen në tregimin Dëshmia, në një tregim të shkurtër pesë faqesh, ku me mjeshtëri i ndërton tri skema narratologjike, njëra prej tyre më e vështira dhe më e pazakonshmja për prozën letrare, narratori nga veta e dytë. Skemat tjera përfshijnë rrëfimin nga narratori i gjithëdijshëm, i jashtëm dhe narratori personazh, i brendshëm.

Me këtë punë Mehmeti na thotë zëshëm se ka kaluar koha kur shkruhet letërsi e papërpunuar, letërsi demode. Tash është koha e letërsisë skolastike, e artit brilant letrar që nuk të mërzit më.

Si prosede krijues autori ndjek modelin postmodernist të letërsisë. Duke shkruar gjithnjë për realitetin në ndeshje me të kaluarën, duke shkruar për vendin e shoqërinë që e rrethon, për të larat e të palarat, për legjendat e të vërtetat, duke specializuar teknikën  e kodimit të dyfishtë (U. Eco ‘double coding’) Kur lexohen me vëmendje tregimet dikush që përsiat nuk e ka të vështirë ta dekodojë kush është Dashamiri e dashamirasit, kush Republika e Livdohovës, kush janë heronjtë e përmendoret, kush janë udhëheqësit publikë, kush janë viktimat, kush etimologët e vetëshpallur, dhe për t’ia vendosur kapakun kush është virusi i fytyrës së zezë.

Krejt këta kalojnë në demaskim e kritikë të rreptë, e për utopi letrare kalojnë edhe në sitën e drejtësisë ku shpeshherë marrin hakun e merituar.

Nga stili tipik postmodernist, Mehmeti nuk e harron as shembjen e miteve e legjendave që në kulturën popullore ruhen si të shenjta. Rrënohen mite të heronjve antikë e të rinj, ironizohet adhurimi i pameritë i tyre, ironizohet edhe me baladat popullore që s’i ka prekur kush deri më tani, me Urën e Shejtë e Rozafatin. Këto dy rrëfime legjendare risjellen në kujtesë të ngjashme me origjinën e tyre, por të shkrira me njëra tjetrën, pastaj shemben e  rimodelohen në një origjinalitet impresiv. Kështu, legjenda e murosjes së gruas nga një himn për mbajtjen e besës bëhet denoncim për tradhtinë e egoizmin, denoncim për një vrasje kriminale.

Hipnoza është libër tregimtar që duhet të lexohet e të zë vend në bibliotekat e secilit, Albin Mehmeti është emër që veç është ngulitur në mbamendje,  i cili ka një rrugë të gjatë përpara e një vend merite në mesin e shkrimtarëve të letërsisë së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. Dr. Haqif Mulliqi Libri “Kthesë e dramës modern (shek.…