Përleshje në Hong Kong, dhjetëra të arrestuar
Agim përleshjesh në Hong Kong ku policia ka përdorur gazin lotsjellës për të penguar manifestuesit pro demokracisë, të mbyllur prej ditësh brenda politeknikumit, të dalin nga godina.
Orë kaosi, me dhjetëra të arrestuar në fund të një nate përleshjesh: protestuesit ndërkohë i kanë vënë zjarrin barrikadave dhe kanë qëlluar policinë me çfarë kanë mundur.
Policia kishte kërcënuar se do të përdorte armët por përmes rektorit të politeknikumit kush do të dorëzohej do të përballej me drejtësinë.
Por, kur manifestuesit tentuan të dilnin nga kampusi, agjentët i ndaluan me gaz lotsjellës për shkak të drojës se ata do ti shpëtonin arrestimeve. Shumë studentë u rikthyen brenda, të tjerë iu drejtuan qendrës ku edhe është hapur një tjetër front protestash.
Dhjetëra manifestues të veshur me të zeza dhe maska, sipas medieve lokale, bllokuan zona të tjera të Hong Kongut, duke bërë që dyqanet të mbeteshin të mbyllura. Gjykata e lartë e Hong Kongut e shpalli jo kushtetues ndalimin e përdorimit të maskave, muajin e kaluar, nga liderja e Hong Kongut, Carrie Lam, e cila iu referuar legjislacionit të emergjencës, një normë që kishte ndezur shumë polemika.
Pekini ndërkohë mbetet stoik. Sipas tij nuk ka asnjë hapësirë për kompromis në luftën kundër manifestuesve antiqeveritarë. Kina mbetet e vendosur në mbrojtje të sovranitetit të saj dhe stabilitetit të Hong Kongut- tha edhe ministria e jashtme e vendit. /TCh/