Përleshje në Prevallë, ka të arrestuar e të lënduar
Një përleshje fizike ka ndodhur sot rreth orës 13:30 në Prevallë, me ç’rast katër persona janë arrestuar ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të lënduar, shkruan Gazeta Sinjali.
Kështu kanë bërë të ditur sinjalizuesit e Gazetës Sinjali, të cilët njoftuan se e gjithë ngjarja filloi për ndezjen e një zjarri përballë një restoranti në Prevallë.
Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga Policia, ku njoftuan se pasi ishte ndezur zjarri nga disa qytetarë, pronari dhe familjarët e restorantit u kërkuan të dyshuarve të largohen nga aty, dhe me këtë rast ka filluar përleshja fizike në mes të katër të dyshuarve dhe tre viktimave, të cilët pas lëndimeve të marra janë trajtuar në Emergjencën e Spitalit të Prizrenit.
“Policia ka pranuar një informacion se në Prevallë, përderisa disa qytetarë kanë ndezur një zjarr përballë një restoranti dhe po bënin grill-piknik, pronari dhe familjarët e restorantit kanë dalë dhe i kanë kërkuar që të njëjtit te tërhiqen nga aty, dhe me ketë rast ka ardhur deri te konfrontimi fizik ndërmjet katër personave te dyshuar dhe tre viktimave”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Ndërkaq në veturën e personave të dyshuar, policia ka sekuestruar një armë zjarri, dy thika dhe një çelës gomash, i cili dyshohet se është përdorur gjatë përleshjes.
“Si pasojë e këtij konfrontimi kanë pësuar lëndime viktimat dhe të njëjtit janë trajtuar nga Emergjenca e Prizrenit. Gjate kontrollimit të personave dhe automjetit të personave të dyshuar, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e dyshuar për përdorimin e municionit me gaz Zoraki 917-T, me një kornizë dhe 4 fishekë municion gazi me mbishkrim 9 mm PAK-Pobjeda, 2 thika, një me një dorezë prej druri (kamë) ndërsa tjetra kishte një dorezë metalike si dhe një çelës ndryshues gomash që dyshohej se është përdorur në përleshje”, thuhet tutje në përgjigje.