Përleshje të dhunshme në Hong Kong
Dhuna është rikthyer në fundjavën e 12 të protestave në Hong Kong.
Mijëra manifestues u përleshën me forcat e rendit në zonën industriale në lindje të qytetit, duke i goditur ata me gurë. Manifestuesit mbanin masa kundër gazit lotsjellës të përdorur nga policia për shpërndarjen e tyre.
Dhuna nisi kur protestuesit u përpoqën të rrëzonin disa shtylla, tek të cilat sipas tyre, autoritetet i kanë ngritur për të fiksuar fytyrat e pjesëmarrësve në protesta. Ndërsa qeveria pretendon se shtyllat bëjnë matjen e nivelit të ndotjes së ajrit.
E diela e kaluar shënoi rekordin e pjesëmarrjes, 1.7 milionë manifestues në sheshe, rreth 20% e popullsisë. Manifestuesit kundërshtojnë ligjin për ekstradimin e të arrestuarve drejt Kinës, që sipas tyre shkel të drejtat e njeriut dhe kushtet e ribashkimit që u krye 22 vite më parë.