Përmasa dhe ndikimi i Shotë Galicës në edukimin e brezave
Dr. Jakup Krasniqi
“Dashuria për atdheun është topi që shkatërron kalatë më të forta dhe kalaja që mund t’u qëndrojë topave më të fortë” / Sami Frashëri
Nëntëdhjetë vjet pa praninë fizike të trimëreshës sonë Shotë Galica janë më shumë se të mjaftueshme për të parë pa syze e gjithanshmërisht përmasën ndikuese të kësaj heroine në edukimin liridashës e atdhetar të gjeneratave që erdhën e erdhëm pas saj, të gruas dhe të burrave shqiptarë. Nuk ka asnjë dyshim, vetë pozita shoqërore e gruas, përgjithësisht në shoqërinë njerëzore e veçanërisht në shoqërinë tonë, shpërfaqja e vlerave më sublime e veçmas e vlerave luftarake, liridashëse e atdhetare, ka qenë e mbase edhe ka mbetur ende në përmasa më të kufizuara roli i gruas sesa ai i burrit në shoqëri. Por, pa marrë parasysh kufizimet, gruaja shqiptare nga Mbretëresha Teutë e krejt deri te lufta e fundit çlirimtare e kombit tonë, e përfaqësuar me brezin e Xhevë Lladrovci – Krasniqi.
Jo pak herë në historinë tonë shumëshekullore, gruaja shqiptare ka shpërfaqur vlerat e saj si nënë, si bashkëshorte, si mësuese, si trimëreshë, si udhëheqëse e luftëtare sypatrembur.
Nuk ka asnjë dyshim, se as në kohët më të hershme, as në mesjetë, e deri në kohët më të reja, as burrat e as gratë shqiptare nuk e kishin qëllim të parë e të vetëm luftën, e cila nëpër kohë të ndryshme u vinte si qëllim për të jetuar jetën në liri e me dinjitet njerëzor e kombëtar. Pra, lufta ishte zgjidhja e fundit dhe gjithnjë ishte e mbeti e imponuar nga pushtues të egër e të shumtë. Këtë fenomen pa dyshim më se miri e ka formuluar dhe shprehur kryeheroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili e pati përkufizuar shumë bukur arsyen e luftërave të popullit shqiptar ndër shekuj. Ai pati thënë, sipas kronikanëve të epokës madhore të tij: “Të kërkosh luftë është çmenduri, por t’i përgjigjesh asaj kur të tjerët ta imponojnë është mençuri, është urti”. Njerëzit, burra e gra kudo në botë lindin për ta jetuar jetën, për t’i dhënë asaj jetën për vazhdimësinë e brezave, por edhe vdekjen e parakohshme nëse ajo kërkohet për lirinë, për dinjitetin e vazhdimësinë e brezave, që pastaj brezat t’i kanë pasqyrat e tyre ku duhet t’i shikojnë shëmbëlltyrat në të cilat do e duhet të shëmbëllejnë.
Pa asnjë dyshim e hamendje, Shotë Galica alias Qerime Halil Radisheva nga Drenica ka qenë e ka mbetur një shëmbëlltyrë në të cilën djem e vajza, burra e gra, duhet ta shikojnë e kujtojnë shpesh si shembull se si duhet pasur kurajë që në situata të ngjashme duhet ecur pa hezituar në të njëjtat gjurmë, në gjurmët e atyre që brumosën integritetin e luftëtarëve kombëtarë ndër vite. Në gjurmët e lirisë e të çlirimit për të pasur një jetë të dinjitetshme. Shotë Galica dinjitetin e integritetin e saj dhe të kombit nuk e ndërroi me asgjë e për asnjë pasuri e katandi.
Trashëgim jua lamë luftën për liri
Shota u lind në Radishevë, nga babai Halil Radisheva e nëna Salë në vitin 1895, kur Shqipëria e shqiptarët jetonin nën një perandori të egër që ishte në ikje, e më pastaj do të jetonin e përjetonin pushtuesit e egër të Ballkanit, që shpërfaqën egërsi të shumëfishta ndaj Shqipërisë e shqiptarëve. Fatkeqësisht, kjo egërsi, si dje ashtu edhe sot, është mbështetur nga të fuqishmit e Botës. Ndonëse këta të sotmit i kanë bërë një korrigjim padrejtësisë historike, por jo në përmasat e duhura, të bashkimit të shqiptarëve. Por, këtu është edhe papërgjegjësia e njerëzve që u munduan ta qesin në kurrizin e butë të individit gjithë lavdinë e kombit ndër breza. Veprat e mira e të mëdha të kombit, kurrë dhe askund nuk kanë qenë e as janë veprime individualiste. Shota dhe brezi i saj, ndonëse nuk e përjetuan lirinë kombëtare e as individuale, nuk hezituan të ishin në kërkimin e njërës e të tjetrës, por për atë brez e breza të tërë atdhetaresh, mbi çdo gjë ishte: çlirimi dhe bashkimi kombëtar.
Për këtë ajo dhe brezi i saj ishin të bindur se nuk ia kishte arritur qëllimit. Ata ishin të bindur se rruga e çlirimit dhe e bashkimit nuk kishte alternativë. Këtë ajo e thotë, pasi kalon kufirin shqiptaro-shqiptar, kur për të fundit herë po largohej nga Kosova e robëruar nga çizmja serbo-jugosllave në fund të vitit 1926. Ajo, së bashku me shokët që e shoqëronin, ishin ndalur dhe kishte hedhur vështrimin nga Kosova dhe bashkëkombësve të vet u thotë: “Trashëgim nuk ju lamë pasurinë e as lirinë, por ju lamë trashëgim – përvojën e traditën e luftërave për liri”! As sot pas 90 vjetëve askush nuk mund ta mohojë atë trashëgimi udhërrëfimi nëntëdhjetëvjeçar që vjen e pastër si loti deri në ditët tona – në mijëvjeçarin e tretë.
Ne, sot, pas 90 vjetëve, pas një jete të lavdishme me heroizma të verifikueshëm e vdekje të dhimbshme të Heroinës – Shotë Galica në fshatin Shullaz të Fushë-Krujës më 3 korrik 1927. Aty Shota me shumë fëmijë jetimë ishte vendosur në fund të vitit 1926. Ajo mendonte të shërohej nga plagët e luftës dhe të kthehej në Kosovë për ta vazhduar luftën. Në Shqipërinë e Zogut ajo nuk e gjeti mbështetjen e shtetit. Është e dhimbshme pse asokohe nuk u vlerësua vepra e saj liridashëse nga regjimi obskurantist siç ishte ai i Zogut. Ai regjim kishte qëllim që njeriun ta bënte lehtë të nënshtrueshëm deri në gjunjëzim edhe për një kokërr misri, siç na kujton poeti i mjerimit – Migjeni, në skicën letrare, “Legjenda e misrit”.
Për gjendjen e saj të vështirë dhe të fëmijëve jetimë, ajo e kishte njoftuar Ahmet Zogun që me vendosjen e saj tok me fëmijët jetimë në fshatin Shullaz të Krujës. Në letrën dërguar Zogut, ajo shkruan: “Naltmadhnija juej, unë jam Shote Galica, grueja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Kaçake të Kosovës. Gjindem në katundin Shullaz të Krujës, kam edhe katër fëmijë jetimë me vedi. Janë fëmijët e luftarëve të vramë për çlirim të Kosovës. Jam e shtrëngueme t’ju vnoj në dijeni se jam tuj vdekë unit bashkë me fëmijët jetimë”. (Burimi:http://www.njekomb.com)
Regjimi i Zogut nuk mori asnjë masë të vetme për këtë luftëtare kombëtare dhe fëmijët jetimë të Kosovës martire. Përkundrazi, sokoleshën sypatrembur të maleve të Kosovës, luftëtaren e vetme të kombit të atyre viteve e la të vdiste në mjerim e pa përkujdesje shëndetësore. Ndërsa, në anën tjetër, nuk dimë asgjë për fatin e fëmijëve jetimë që jetonin së bashku me heroinën. Kështu, heroinës së kombit, Shotës jo vetëm që nuk iu mundësua kthimi në Kosovë për ta vazhduar luftën, por nuk iu shpëtua as jeta.
Shotë Galica me veprën e saj, të bashkëshortit Azem Bejta, e trimave të tjerë të kohës, u bënë burim i pakontestueshëm për edukimin e brezave të mëpastajmë në gjithë hapësirën shqiptare dhe kudo në botë ku jetojnë e gjallojnë shqiptarët. E gjithë historia e luftërave çlirimtare tregon se jo në ditë të qeta, por në kohë të vështira, njerëzit i kanë mundësitë t’i shpalosin vlerat e tyre, integritetin e tyre, madhështinë e tyre. Ashtu si shqiponja që ua hapë krahët furtunave! Nëse kombi ynë i vogël numerikisht u ka mbijetuar shekujve, kjo ka ardhur për shkak të meritave të njerëzve me integritet, të njerëzve si Shotë e Azem Galica, që siç thotë artisti popullor: “për liri e atdhe, vdekjen e bëjnë si me le”. Pa këta njerëz të fisëm, si Shotë Galica nga Radisheva, e vargun e luftëtarëve sypatrembur si Azem Bejta e Mehmet Delia e shumë të tjerër, historia do të na harronte në ndonjë qoshe të errët të saj, më shumë sesa i ka harruar ajo latinët e urtë! Ndërsa në ditë të qeta, zakonisht njerëzit e interesave meskine i shpërfaqin “vlerat” grabitëse të tyre. Dhe këtë e kemi parë shpeshherë pas 28 Nëntorit 1912 e krejt deri më sot! Kështu, Shotë Galica, si i gjithë brumi i saj prej heronjve e heroinave eci dinjitetshëm nëpër historinë tonë më të re, duke frymëzuar e mbushur atdhedashuri breza të tërë, krejt deri te Liria e Pavarësia e Kosovës dhe pa asnjë dyshim edhe brezat e ardhshëm do të kenë dhe bile do të kenë shumë nevojë për t’u shikuar në pasqyra të tilla që reflektojnë dashuri për atdhe, për liri e dinjitet njerëzor e kombëtar.
Sot, askush nuk mund ta kontestojë faktin se Kosova është e lirë dhe Kosova e lirë është vepër e atyre që investuan jetë për të ardhur këtu ku jemi, jetët e së paku tre-katër brezave që jetuan jetën e tyre si “gjarpri nën gur”, por kurrë Kosovës nuk ia kthyen shpinën. Të gjitha ato vuajtje e flijime u bënë për çlirim e bashkim kombëtar, por arritëm që së paku ta kemi Kosovën e Lirë, të Pavarur e Sovrane, e cila kështu siç është po lënë shumë për të dëshiruar për brezin e sotëm, i cili brez nuk po ndjehet mirë me vendin e vet, me udhëheqësit e vet që nuk po arrijnë ta konsolidojnë shtetin e së drejtës! Prandaj ky brez e ka përgjegjësinë historike që njerëzve t’ua kthejë perspektivën për të jetuar e punuar në këto troje stërgjyshore. E ardhmja e vendi dhe e njerëzve që do të vijnë do të varet shumë nga veprimet e brezit të sotëm, e veçmas e atyre që marrin përgjegjësi për të qeverisur!
Janë bërë 90 vjet pa heroinën Shotë Galica, pa praninë e saj fizike, por me praninë e saj shpirtërore të edukimit udhërrëfyes ndër breza, falë atyre që na e prezantuan në të gjitha artet pamore, në këngë, valle e vargje, në drama e libra monografie, në filma e dokumentarë historie. Shotë Galica edhe sot vazhdon dhe do të vazhdojë fuqishëm të jetë e pranishme gjithandej, veçmas në familjet, në shkollat e universitetet tona dhe “merret” me edukimin e brezave me idetë e lirisë dhe të atdhedashurisë! Por, pa ndonjë monument kujtimi e nderimi meritor të mijëvjeçarit të tretë, veç fjalëve miradije! E vërtetë e pamohueshme, se edhe fjalët janë përmendore në vete, por është koha të mendojmë seriozisht për monumentin e “Trimëreshave të Kosovës”, me fytyrën e heroinës – Shotë Galica!