Përmasa kombëtare e luftës së UÇK-së

30 nëntor 2022 | 08:45

Prof. dr. Emin KABASHI

Përkufizim

Në fjalorin e të gjithë popujve të botës thuhet se lufta nuk është e mirë. Atëherë, pse një dorë luftash quhen çlirimtare. Sepse, në radhë të parë, heqin robërinë. Sepse, në radhë të dytë, heqin okupimin. Sepse, në radhë të tretë, hapin mundësi për jetë të lirë të qytetarëve që nuk i ka marrë lufta me vete.

Këto janë vetëm disa nga përkufizimet që mund të thuhen, në rastet kur një luftë quhet çlirimtare. E tillë është edhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Si e tillë, UÇK-ja është bërë publike më 28 nëntor të vitit 1997 dhe është organizuar nga bijtë dhe bijat më të përkushtuar të këtij populli. Qoftë edhe për këto aspekte të saj, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka përmasë kombëtare.

Hyrje

Janë bërë 25 vjet që nga dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dalja ishte bërë me urdhër të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, pasi Kosova nuk kishte kryetar shteti që të jepte urdhra të tillë. Por, kësaj radhe nuk e kam fjalën këtu, pra nuk e kam fjalën për faktin se lufta e UÇK-së është përgatitur, është zhvilluar dhe ka dalë fituese, pa shtet dhe pa pushtet, pa mbështetje institucionale shtetërore, por edhe me kurthe dhe ndërskamca nga Prishtina dhe Tirana zyrtare. Nuk e kam fjalën për këto fakte, ngaqë për mua janë tema të trajtuara para 17 vjetësh në studimin Përmasa kombëtare e luftës së UÇK-së.

Të gjithë shqiptarët me siguri e kanë mbajtur mend datën e daljes publike të UÇK-së. Ishte 28 nëntori i vitit 1997. Dalja ishte bërë me rastin e varri­mit të mësuesit të shkollës shqipe – Halit Gecit, vrarë para nxënësve të tij. Ata që e kanë përcjellë varrimin nga afër mund të kenë sekush kujtimet dhe përfytyrimet e tyre personale, mund të kenë edhe sot, pas kaq vjetësh emocione të ndryshme, gjë që nuk ka asgjë të keqe. Por, dua që kësaj radhe të sjell para jush një shenjë kujtese. Sigurisht që të gjithë i kanë parë pamjet dhe fotografitë e atij varrimi. Por, kurdo që ju bie udha sërish, shikojeni me kujdes. Mbi dhjetë mijë njerëz, që ishin grumbulluar për ta përcjellë mësuesin në banesën e tij të fundit. Në vend se të rrinin të heshtur, siç e kërkon edhe tradita, kur dalin në skenë djemtë e UÇK-së, e gjithë ajo masë thërret UÇK, UÇK! Shikojeni me kujdes atë fotografi nga ai varrim, pjesa më e madhe e njerëzve janë gra, vajza dhe burra të moshuar. Vetëm shiko­jeni si i duartrokasin daljes së djemve ushtarë të lirisë dhe si thërrisnin emrin e Ushtrisë së tyre, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po të ishte dita e parë e asaj ushtrie, ku do ta dinin ata dhjetë mijë njerëz se ajo ushtri ishte UÇK-ja.

Shqiptarët që nuk e pranonin ushtrinë e tyre çlirimtare

Në Prishtinë dhe në Tiranë jo vetëm nuk pranohej Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por ajo anatemohej, si pjellë e huaj, si dorë e zgjatur e atyre që nuk e duan lirinë dhe atdheun, si krijesë e shërbimeve të huaja, aq më keq, edhe si antihistorike për interesin e popullit shqiptar. Tirana e vitit 1997 as që kujtohej se në Kosovë kishte ushtri çlirimtare. Ajo digjej dhe shkrumbo­hej, vritej dhe përgjakej pa asnjë forcë të huaj pushtuese brenda, pa asnjë kërcënim ushtarak nga jashtë. Ajo vritej dhe përgjakej për bindjet politike, frymë që është bartur edhe në Kosovë, kur është fjala për Ushtrinë Çlirim­tare të Kosovës. Kush ka dyshime në përkufizime të këtilla, merrni dhe shfletoni shtypin e asaj kohe në Prishtinë dhe në Tiranë, e besoj nuk duhen dëshmi më të sakta dhe, njëkohësisht, më tragjike të mendësisë tonë për luftën e lirisë së atdheut. Përkundër këtyre ngjarjeve tragjike në përmasën e tërë gjeografisë së atdheut, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke mos u marrë me anatemime të këtilla, kishte krijuar në jetën e shqiptarëve liridashës përmasën kombëtare të saj që, si e tillë, te një pjesë e shqiptarëve ruhet, forcohet dhe mbahet edhe sot e gjithë ditën dhe për jetë e mot.

Një anë tjetër e veçantë e kësaj lufte është edhe karakteri i saj ideologjik. Derisa në Shqipërinë londineze partitë politike luftonin për pushtet real, aq sa e kishin dhe aq sa mund ta realizonin, në Kosovë partitë politike, ato që ishin, thuajse të gjitha, me përjashtime të atyre organizimeve politike që vepronin fshehurazi dhe, kryesisht në mërgatën tonë të madhe, pa e përjashtuar këtu edhe mërgatën shqiptare në ShBA, ku ndikimi i partive politike nga Tirana dhe Prishtina ishte vendimtar kryesisht kundër mbësh­tetjes së Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përkundër gjithë këtij përjashtimi, përkundër tërësisë së pengesave që i krijonin veprimtarisë së saj çlirimtare, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka arritur të sendër­tohet në përmasë kombëtare, ngaqë këtë përmasë e kishte fituar me ideolo­gjinë e saj kombëtare. Në shkrimet, në analizat, në paraqitjet publike të pjesës më të madhe të veprimtarëve të partive politike, të cilat i ka përcjellë shtypi i asaj kohe, i janë veshur epitete nga më të ndryshme, duke filluar nga Enver Hoxha e deri te Marksi e Lenini, nga vëllazërimi e bashkimi jugosllav e deri te majtizmi i Mao Ce Dunit. Por, të gjithë këtë pluhur dhe tymnajë e ka përtokur ideologjia kombëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Koso­vës, qoftë edhe vetëm për faktin se ajo bënte luftë për çlirimin nga pushtimi i një pjese të atdheut, që po e bënte afër një shekull në robëri.

Konferencat evropiane dhe administrata e ShBA-së

Që nga dita e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e deri në ditët e sotme, kur po flasim për veprën e saj historike, sepse vetëm lufta çlirimtare është veprim historik, asnjëherë nuk kanë pushuar konferencat në qendrat e ndryshme të Evropës, si dhe asnjëherë nuk ka heshtur admini­strata e ShBA-së duke u marrë me veprimin e kësaj ushtrie. Në fillim të gjithë kishin dilemat e tyre, deri edhe administrata amerikane, e cila e kishte cilësuar si organizatë terroriste, siç kishte bërë Gilbart e ndonjë tjetër, herë në Beograd e Prishtinë, herë brenda zyrave të asaj administrate. Për qen­drat evropiane, që një ditë do të vihen, një pjesë e saj, në krah të kësaj lufte çlirimtare, mund të thuhet se nuk kanë lënë prapaskenë pa shfrytëzuar që ta përbaltë këtë luftë dhe këtë ushtri çlirimtare. Një pjesë e saj, edhe nën ndikimin e faktorit shqiptar në Prishtinë e në Tiranë, gjë që e bën edhe sot.

Për çudi të zotit, kur Kosova nuk kishte qeveri të saj brenda vendit, kur nuk kishte kryetar që i printe luftës, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte dhe ka përmasë kombëtare. Jo vetëm për faktin se kur një pjesë e atdheut është i pushtuar, atëherë edhe pjesa tjetër kurrë nuk është e lirë, por edhe për faktin se deri vonë, nën trysninë e këtyre qendrave të Evropës, ose nuk e përkrahte luftën çlirimtare, ose rrinte anash saj, që të mos aku­zohej se ishte pjesëmarrëse. Kur gjenerali Kudusi Lama u kishte thënë atyre që udhëhiqnin luftën, se nëse më pranonin në radhët e UÇK-së do ta ndieja veten krenar, edhe pse ai ishte gjeneral i ushtrisë shqiptare, edhe pse ishte komandant i Divizionit të Kukësit, që e kishte ringjallur dhe e kishte aftë­suar të përballej me armikun e tokave shqiptare, ishte thirrur nga zyrtarët e shtetit në Tiranë dhe ishte qortuar rëndë.

Baza gjeostrategjike e organizimit të Konferencës së Rambujesë dhe shkuarjes të bashkuar në atë konferencë, ishte veprimi historik i UÇK-së, jo angazhimi kombëtar i ndonjë subjekti politik në Kosovë dhe në Tiranë. Pa marrë parasysh se çka ka ndodhur atje gjatë mbajtjes së Konferencës dhe pas saj, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte përmasë histo­rike, nëse për asgjë tjetër, edhe për faktin se ishte pranuar në nivelet më të larat ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Gjyqet ndaj ushtarëve të lirisë dhe paturpësia e demokracive evropiane

Dikush mund të mendojë se gjyqet ndaj luftëtarëve të lirisë kanë filluar me ushtarin emblematik Ramush Haradinaj dhe me Fatmir Limaj e me ndonjë tjetër vite më vonë. Në të vërtetë, burgjet në Kosovë kurrë nuk kanë pasur më shumë banorë të përhershëm sesa djem të luftës, nga më i riu e deri te më i vjetri, sa kishte filluar të krijohej përshtypja, siç kishte ndodhur edhe në Bosnjë-Hercegovinë, kur njeriu duhej të kërkonte një dëshmi të nënshkruar së paku nga dy dëshmitarë, se nuk ka qenë pjesë e luftës që të shpëtonte nga ndjekja e prokurorëve shqiptarë e të huaj. Deri sot askush nuk është marrë me veprime të këtilla të faktorit ndërkombëtar. Për fakto­rin shqiptar nuk është marrë askush, edhe për faktin se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka pasur vetëm një ideologji, atë kombëtare, qëllimi i së cilës ishte çlirimi i kësaj pjese të atdheut. Sepse, shqiptarët kanë vetëm një atdhe, jo dy apo tre, siç lexojmë sot në gazeta dhe në libra, siç dëgjojmë sot në shumë televizione dhe radio. Nuk ka qytet, nuk ka fshat në Kosovë, nuk ka njësi ushtarake anëtarët e së cilës nuk janë ndjekur me lloj-lloj aku­zash, si dhe një pjesë e tyre janë mbajtur nëpër burgje me vjet të tëra, pa asnjë provë, pa asnjë dokument, pa asnjë vendim gjyqësor. Përkundër të gjithë kësaj zezone, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka përmasë kombëtare sepse, në fund të fundit, ka hapur procesin e madh historik të bashkimit kombëtar.

Flamuri dhe UÇK-ja

Në fund do të merrem me dy-tri fjali me iluzionet e mia. Kam ushqyer përjetësisht iluzionin se një komb e ka një flamur kombëtar. Kush jeton në Kosovë e di se iluzionet janë të dëmshme. Por, dua ta pranoj, na ka marrë malli për ngjyrat e flamurit tonë kombëtar. Kishte lëvizje në Kosovë, që edhe në xhaketa mbanin simbolin e flamurit, në zyrë e mbanin flamurin, në sallën e Kuvendit të Kosovës, e mbanin nga një flamur të vogël. Dhe iluzioni im ende ushqehej me shpresë. Mirëpo, edhe pse na ka marrë malli për flamurin kombëtar, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka përmasë kombëtare edhe për këtë fakt. Nuk ka askund flamur kombëtar, në asnjë institucion shtetëror, por ka flamur kombëtar në varrezat e dëshmorëve të kombit. Kudo që shkoni nëpër Kosovë në varrezat e dëshmorëve të kombit valon flamuri kombëtar. Kështu që, edhe pse iluzionet janë të dëmshme, siç ka thënë akademik Rexhep Qosja, unë kam të drejtë t’i ruaj këto ilu­zione, sepse dëshmorët e kombit janë të përjetshëm, kurse pushtetet, cilado qofshin ato, janë të përkohshme, aq të përkohshme sa harrohen krye tri dite si dasmat e këqija në fshat.

(Marrë nga libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, botuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kjo kumtesë është paraqitur në sesionin shkencor mbajtur në Prishtinë më 7 mars 2022, organizuar nga: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kumtesat e njëzet intelektualëve shqiptarë gazeta “Epoka e re”, përpos në portal, do t’i botojë për njëzet ditë me radhë edhe në formatin pdf. Librin mund ta gjeni në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paqja midis Rusisë dhe Ukrainës duket e pamundur. Në një…