Përmbyllen dëgjimet buxhetore në fshatrat dhe zonat urbane të Ferizajt
Në ditën e fundit të dëgjimeve buxhetore me qytetarë për hartimin e buxhetit të vitit 2020 dhe planifikimet e buxhetore 2021-2022, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar edhe nga drejtori i Infrastrukturës, Arbër Bytyqi, ai i Arsimit, Afrim Llabjani, në shkollën e fshatit Surqinë ka takuar banorët e fshatrave Surqinë, Cërnillë, Prelez i Muhaxherëve, Mirash, Tërrn, Luboc dhe Bablak, kurse në ndalesën e dytë, ka takuar banorët e fshatrave Muhoc, Prelez i Jerlive, Saraishtë dhe Talinoc i Jerlive.
Me këtë rast, Aliu u ka bërë me dije të pranishmëve mundësitë buxhetore të komunës së Ferizajt për t’i përfshirë kërkesat e banorëve në investime, duke theksuar se nga 9 milionë euro sa është vlera e fondit të investimeve kapitale, vetëm tre prej tyre mund të përdoren për planifikimet e reja, për shkak se vlera e 6 milionë eurove është detyrim kontraktual.
Në anën tjetër, banorët e këtyre fshatrave kanë parashtruar kryesisht kërkesa dhe shqetësime të njëjta.
Fokusi i kërkesave të tyre kishte të bënte me rregullimin e infrastrukturës rrugore dhe asaj nëntokësore, krijimin e hapësirave të reja rekreative-sportive, mirëmbajtjen e hapësirave publike si dhe investimet në objekte shkollore dhe anekse të tjera.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, duke i dhënë përgjigje kërkesave të banorëve, ka thënë se mundësitë buxhetore janë të kufizuara për të absorbuar të gjitha kërkesat e parashtruara, por ka theksuar se do të hyjnë në planifikimet buxhetore projektet që kanë nevojë të menjëhershme për ndërhyrje.