Përmbyllet java e Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti bën homazhe të shtatorja e Ukshin Hotit
Java e Lëvizjes Vetëvendosje është përmbyllur të hënën në ditëlindjen e veprimtarit të madh të çështjes kombëtare, profesor Ukshin Hoti.
Për shënimin e kësaj date, një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, i prirë nga kryetari Albin Kurti dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me shefin e grupit parlamentar të Lëvizjes, Glauk Konjufca, deputetët Arbër Rexhaj, Drita Millaku dhe Salih Zyba si dhe kryesuesen e Këshillit të Qendrës së Lëvizjes në Prizren, Arbëresha Berisha kanë vizituar Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.
Me rastin e vizitës në këtë universitet, delegacioni i Vetëvendosje ka zhvilluar një takim me studentët, profesorët si dhe me rektorin Ismet Temaj.
Kryetari Kurti ka vendosur lule të freskëta te shtatorja e profesorit Ukshin, ndërsa Glauk Konjfuca ka mbajtur një fjalë rasti duke lexuar edhe një paragraf nga vepra e famshme e profesorit, “Filozofia politike e çështjes shqiptare”:
“Populli shqiptar duhet bashkuar. Këtë e dinë të gjithë dhe askush më nuk e konteston. Ai duhet të bashkohet për shkak se është i njësuar në planin shpirtëror: e ka një gjuhë, një kulturë dhe një histori. Për shkak se është një popull i vjetër evropian i Ballkanit, i cili që herët e ka demonstruar pjekurinë e vet shtetformuese; për shkak se gjithashtu që herët e ka arritur nivelin e duhur të vetëdijes politike për veten, për vendin dhe për interesat e veta në regjion, dhe për shkak se e ka dëshmuar në mënyrë të lavdishme dobishmërinë e vet në të gjitha planet e bashkësisë evropiane të popujve”.
“Nuk i duhet që ta dëshmojë përkatësinë e vet në këtë bashkësi, sepse pavarësisht nga pozita e vet gjeopolitike dhe e pranisë së religjionit islamik në shumicën e pjesëtarëve të tij, ai ka qenë dhe ka mbetur popull evropian. Ai duhet të bashkohet edhe për shkak se e drejta për vetëvendosje është njëra ndër arritjet qenësore të qytetërimit evropian, e drejtë të cilën vetë ajo e ka proklamuar dhe e cila më asnjë populli në Evropë nuk mund t’i refuzohet a t’i mohohet. Popullit shqiptar i duhet një gjë e tillë që të mund të zhvillohet vetë më tej për ta arritur nivelin e përgjithshëm të kësaj bashkësie”.
“Çdo analizë, nga çfarëdo aspekti, në instancën e fundit, nuk mund të mos e reduktojë çështjen shqiptare në nevojën për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm shqiptar. Dhe çdo analizë, nga çfarëdo aspekti, në instancën e fundit, nuk mund të mos e reduktojë problemin shqiptar në nevojën për barazimin e shqiptarëve me popujt tjerë në çdo aspekt, por mbi të gjitha në aspektin e zhvillimit”.
Konjufca ka thënë se ky është paragrafi më i rëndësishëm i veprës së Ukshin Hotit. Në këtë kontekst, ai ka thënë se nderin më të madh që mund t’ia bëjnë profesorit Ukshin Hoti, është duke vazhduar rrugën e tij, dhe duke mos u ndalur derisa kjo që ka lexuar të realizohet.
/Epoka e re/