Përmbyllet me sukses kampanja “Ruje mos e gjuj” duke u ricikluar mbi 40 tonë plastikë
Green Art Center-Prishtina (GAC) në kuadër të kampanjës “Ruje mos e gjuj”, kampanjë kjo që u financua prej Coca Cola HBC dhe u implementua në partneritet me MMPH-në, Komunën e Vushtrrisë dhe disa institucione publike dhe private në Kosovë, shihet të jetë treguar e suksesshme duke raportuar se janë mbledhur mbi 40 tonë mbeturinë e riciklueshme (plastikë dhe alumin) gjatë kësaj periudhe nëntëmujore të implementimit të ndarjes së mbeturinave të riciklueshme vetëm në disa institucione universitare private në Prishtinë dhe në 500 amvisëri në Vushtrri.
Zyrtarët e GAC-it, raportojnë se kjo kampanjë është mirëpritur prej qytetarëve në zonat dhe institucionet ku është zhvilluar dhe gatishmëria e tyre për të ndarë mbeturinat e riciklueshme në burim e tregon suksesin e saj.
Kampanja “Ruje mos e gjuj” iu bashkëngjit aktiviteteve të Green Art Center (GAC), duke i kontribuar projekteve që GAC-i implementon në shtrirjen e skemës së riciklimit të mbeturinave në komunitet dhe ku shihet si domosdoshmëri që prodhuesit e ambalazheve të marrin përgjegjësinë e tyre për ndotjen në mjedis që shkaktojnë prej mbetjeve të ambalazhimit.
/Epoka e re/