Përmbyllet me sukses seminari katërditor për gjyqtarët
Ka përfunduar me sukses seminari katërditor për gjyqtarët, i cili u organizua nga Komisioni i Gjyqtarëve i Federatës së Futbollit të Kosovës, në hotelin “Star Hill”, nën përkujdesjen e instruktorit të FIFA-s, Alan Snoddy dhe trajnerit të fitnesit, Simon Breivik.
Në përmbyllje të këtij seminari, i cili u vlerësua shumë i rëndësishëm dhe i suksesshëm nga ligjëruesit dhe Komisioni i Gjyqtarëve, ishte i pranishëm edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi. Ai me këtë rast falënderoi instruktorin e FIFA-s, Alan Snoddy dhe bashkëpunëtorin e tij për përkujdesjen dhe përkushtimin e tyre ndaj gjyqtarëve të futbollit kosovar.
Kreu i FFK-së vuri në pah rëndësinë dhe suksesin që kanë treguar seminaret e tilla në vitet e fundit, duke kontribuar në rritjen e nivelit të gjyqtarëve. Kjo, sipas tij, ka çuar në delegimin e tyre të vazhdueshëm në ndeshjet e garave evropiane nga UEFA. Presidenti Ademi përgëzoi gjyqtarët për suksesin e arritur në këtë seminar dhe uroi që ata të kenë një edicion të suksesshëm në ndarjen e drejtësisë.
Edhe instruktori i FIFA-s, Alan Snoddy u nda i kënaqur me atë çfarë treguan gjyqtarët gjatë punimeve të këtij seminari dhe u zotua se edhe në të ardhmen do ta japë kontributin e tij në ngritjen e kuadrove të reja të këtij segmenti të rëndësishëm në Kosovë. Ndërkaq, kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani, shprehu kënaqësi për ecurinë e këtij seminari dhe për shkathtësitë që kanë treguar gjyqtarët gjatë katër ditëve të punës intensive, me besim se edhe në edicionin e ri ata do të dëshmojnë profesionalizmin e tyre në ndeshjet kampionale.