Përmbyset varka me emigrantë në Kanalin Anglez, 12 viktima dhe disa të zhdukur
12 persona kanë vdekur pasi një varkë u përmbys në Kanalin Anglez mëngjesin e sotëm. Kjo u konfirmua nga ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanin.
“Mbytje e tmerrshme në Pas-de-Calais, pranë Wimereux. Numri i përkohshëm është 12 të vdekur, dy të zhdukur dhe disa të plagosur,” shkruan Darmanin në X.
Ai shton se shërbimet e urgjencës po punojnë për gjetjen e të zhdukurve dhe për t’u kujdesur për viktimat.
Por sipas agjencisë franceze e lajmeve AFP, e cila citon një burim të paidentifikuar numri i të vdekurve është 13, duke përfshirë tre të mitur. Roja bregdetare franceze, e cila thotë se 53 persona janë shpëtuar nga incidenti më herët sot.
Kjo është fatkeqësia më vdekjeprurëse e këtij viti në Kanalin, i cili është korsia më e ngarkuar e transportit në botë. Më shumë se 20,000 njerëz kanë kaluar këtë vit nga Franca në Britani të Madhe
Ky është numri më i madh i viktimave në Kanal që nga fillimi i vitit, duke e çuar në afro 40 numrin e emigrantëve që kanë vdekur duke u përpjekur të kalojnë në Angli në vitin 2024. Zyrtarët francezë fajësojnë për rritjen e numrit të vdekjeve trafikantët e paskrupullt që grumbullojnë shumë njerëz në varka të vogla.