Përmbyset varka në brigjet e Libisë, vdesin 60 emigrantë
Të paktën 57 vetë kanë humbur jetën pas përmbysjes së një anije të vogël e të mbingarkuar me emigrant pranë brigjeve të Libisë.
Deri tani këtë vit, gati 1.000 azilkërkues kanë gjetur vdekje në Mesdheun qendror, katër herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka treguar Organizata Ndërkombëtare e Emigracionit.
“Vitin e kaluar ishin vetëm 272. Nuk duhet të hezitojmë më, duhet të bëjmë gjithçka për të forcuar sa më parë sistemin e patrullimit në det”, ka deklaruar zëdhënës i saj, Flavio Di Giacomo.
Të dhënat e para tregojnë se anija, që transportonte shtetas kryesisht nga Nigeria, Gana dhe Gambia, hasi në vështirësi disa orë pas nisjes për shkak të erërave të forta dhe u përmbys në brigjet e Khoms, rreth 100 km nga kryeqyteti libian, Tripoli.
Të mbijetuarit e nxjerrë në tokë rrëfyen se mes atyre që u mbytën, kishte të paktën 20 gra dhe dy fëmijë.
Nisjet nga Libia dhe Tunizia janë shtuar shumë këto kohët e fundit pasi trafikantët e njerëzve po përpiqen të përfitojnë nga moti i ngrohtë. E gjithë kjo situatë ka bërë që qendra e pritjes në ishullin e vogël italian të Lampedusës të mbërrijë në limitet e saj.
Sipas Di Giacomo, sistemi i patrullimeve detare nga autoritetet europiane ka rënë ndjeshëm në vitet e fundit, duke çuar në rritjen e numrit të vdekjeve.