Përmbytjet në Norvegji, mijëra njerëz pa energji elektrike
Pas disa ditësh përmbytjesh të mëdha në Norvegji, diga e hidrocentralit në lumin norvegjez Gloma u shemb sot pjesërisht.
Televizioni lokal tregoi se uji derdhej përmes të çarave në strukturën e digës, raportoi Reuters.
Më shumë se 600 njerëz janë evakuuar në rajonin në veri të kryeqytetit Oslo, pasi shiu i madh shkaktoi rrëshqitje të dheut në pjesën malore të Norvegjisë jugore, tha policia norvegjeze më herët sot.
Drejtoria Norvegjeze e Burimeve Ujore ka lëshuar një alarm të kuq moti për përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në zonat në Norvegjinë jugore, dhe meteorologët kanë lëshuar paralajmërimin e nivelit më të lartë për reshje jashtëzakonisht të mëdha.
Mijëra njerëz mbetën pa energji elektrike në Norvegjinë jugore pasi stuhia Hans, e shoqëruar me shi të dendur, goditi pjesë të Skandinavisë dhe Baltikut për disa ditë, duke rezultuar në derdhje të lumenjve dhe dëmtime në rrugë, raportoi më herët AP.