Përmbytjet në Valencia: “Ishim në kurth si minjtë në çark” – Tri arsyet që shkaktuan tragjedinë në Spanjë

31 tetor 2024 | 21:50

Numri i të vdekurve mund të rritet – 250 milionë euro paketë e ndihmës së parë – Tragjedia më e keqe nga përmbytjet që nga viti 1996

Dramatike janë përshkrimet e banorëve të zonave të Valencias të përfshira nga stuhia DANA me numrin tragjik të të paktën 95 të vdekurve, ndërsa ekipet e shpëtimit dhe më shumë se 1100 ushtarë kryejnë kërkime të furishme në baltë për të gjetur personat e zhdukur.

Dhjetëra mijë shtëpi janë pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm, rrugët mbeten të bllokuara nga makinat e rrëmbyera nga ujërat e vrullshëm. Vetëm dje, të mërkurën, janë kryer 200 operacione shpëtimi në terren dhe 70 nga ajri.

Në përpjekje për të lehtësuar të prekurit, guvernatori i shtetit të Valencias njoftoi një paketë prej 250 milionë euro “pa burokraci” për të prekurit, duke specifikuar se secili do të marrë të paktën 6000 euro për të mbuluar nevojat e para.

“Ishim të bllokuar si minjtë në çark”

Duke përshkruar atë që ndodhi gjatë përmbytjeve më të këqija që nga viti 1996, kur 87 njerëz vdiqën në shirat e rrëmbyeshëm në malet e Pyrenees, kryebashkiaku i rajonit Utiel, konsideruar si “toka zero” e tragjedisë, Ricardo Gabaldon, tha se “ne ishim në kurth si minjtë në çark. Makinat dhe kazanët e plehrave vërshonin nëpër rrugë. Uji u ngrit shpejt në 3 metra”.

Fillimisht banorët e zonës i pritën të kënaqur reshjet pasi kishte pasur një periudhë thatësire të madhe, por zhvillimi i motit të keq shkaktoi panik.

“Njerëzit ishin shumë të lumtur në fillim sepse luteshin për shi, pasi tokat e tyre kishin nevojë për ujë. Por në orën 12 të mesditës stuhia kishte goditur vërtet dhe të gjithë ishim shumë të tmerruar”, tha pronari i një lokali në Utiel.

Një ekspert i motit, foli sot për ngjarjen duke vlerësuar se ishte një rast ekstrem fatkeqësie që ndërthuri disa fenomene, të cilat i shpjegoi kështu:

“Së pari, fenomeni i reshjeve intensive. Mbi 400 mm u regjistruan në disa zona brenda tetë orëve. Që do të thotë se shpejtësia e shiut ishte shumë e madhe.

Pastaj ky ujë ra në një reliev të veçantë. Një dukuri që lehtësonte rrjedhjen e shpejtë të ujit. Këtu nuk kemi të bëjmë me përmbytje lumenjsh. Kemi të bëjmë me një përmbytje të shpejtë. Domethënë janë të ashtuquajturat përmbytje të shpejta në të cilat rrjedhin me shpejtësi sasi të mëdha uji, duke prekur kryesisht zonat e banuara.

Pra kemi reshje shumë të dendura, reshje intensive, shpejtësi të madhe të ujit, sasi të madhe uji dhe mbi të gjitha kjo shpejtësi e madhe e ujit ka përfshirë objektet dhe makinat të cilat kanë bllokuar kanalet e ujit me rezultat që ky ujë të derdhet edhe jashtë brigjeve të lumit dhe zona të tjera.

Me fjalë të tjera, kemi një ndërthurje fenomenesh që kanë kontribuar në atë që po shohim, që fatkeqësisht ende nuk e kemi kuptuar saktësisht se çfarë dimensionesh ka dhe çfarë efektesh ka”.

Zemërimi për vonesën e 112

Zemërimi i drejtohet qeverisë lokale të Valencias. Kjo pasi pushteti vendor ka autoritetin, por edhe përgjegjësinë përfundimtare për të koordinuar shërbimet e urgjencës në zonat e prekura.

Sidoqoftë, në vend që ta bënte këtë, ai dërgoi një mesazh përmes sistemit 112 të Spanjës në orën 20:12, tetë orë pasi kishin filluar përmbytjet dhe 10 orë pasi agjencia kombëtare meteorologjike e Spanjës, AEMET, lëshoi ​​​​një paralajmërim “rreziku ekstrem”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i PDK-së, Adem Grabovci, ka reaguar ndaj rastit të…