Përmes shitjes së maskave sigurohen katër karroca për fëmijët me aftësi të kufizuara
Islamic Relief Kosova në bashkëpunim me organizatën Handikos kanë bërë shpërndarjen e katër karrocave speciale për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Karrocat u siguruan prej fondeve të mbledhura nga Islamic Relief Kosova (me seli në Prishtinë), përmes kampanjës bamirëse ‘Blej një maskë, bëji me karrocë fëmijët me aftësi të kufizuara’, në mënyrë që këtyre fëmijëve t’u lehtësohet lëvizja.
“Ka qenë një aksion për shitjen e maskave dhe nga shitje e tyre i i kemi siguruar fondet e mjaftueshme për t’i pajisur këta fëmijë dhe kampanja ka qenë e suksesshme”, është shprehur Lavdim Gashi, menaxher i departamentit për grumbullimin e fondeve në Islamic Relief Kosova.
Përfitues të këtyre karrocave ishin fëmijët, nevojat e të cilëve u vlerësuan nga organizata Handikos.
“Këto karroca speciale kanë një kosto të lartë dhe të pa përballueshme për ekonomitë familjare në Kosovë. Prandaj ky do të jetë një lehtësim i madh për ta. Urojmë që iniciativa të tilla të ketë sa më shumë dhe të përfitojnë sa më shumë fëmijë, duke qenë se kërkesat dhe nevojat janë të mëdha”, ka thënë Kaltërina Misini, zyrtare për komunikim në Handikos.