Përmes taksës Kosova synon faktorizimin në dialog
Taksa prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës e ka vendosur për produktet nga Serbia, ka krijuar një realitet krejtësisht të ri në raportet edhe ashtu të rënduara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka reflektuar edhe në dialogun për normalizimin ndërmjet dy vendeve, kanë vlerësuar njohësit e zhvillimeve politike në vend.
Për më shumë, çështja e kësaj takse tashmë është shndërruar në pengesë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për faktin se kjo e fundit, heqjen e kësaj takse e ka vënë kusht për vazhdimin e këtij dialogu.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë theksuar se dialogu kërkon një dinamikë të shtuar në gjysmën e parë të këtij viti, por për zhvillimin e tij nevojitet një klimë më e mirë dhe për këtë arsye Kosova duhet ta tërheqë vendimin për taksën.
Por, zyrtarët e delegacionit shtetëror të Kosovës në dialog me Serbinë, të martën, pas takimit në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, kanë hedhur poshtë mundësinë që Kosova ta suspendojë apo anulojë vendimin për taksën, duke thënë se kjo është masa e vetme për t’iu kundërvënë politikave agresive të Serbisë ndaj Kosovës.
Politologu Ramush Tahiri, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është vështirë të vazhdojë e madje edhe mund të dështojë, përderisa palët janë kryeneçe në pozicionet e veta.
Sipas tij, pritjet e Kosovës dhe të Serbisë janë të ndryshme, ndërkaq që pritjet e bashkësisë ndërkombëtare janë që normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve t’u qaset pa kushte.
“Tash, ndërmjetësimi ndërkombëtar duhet të jetë më i fuqishëm ose palët duhet të lëshojnë pe dhe të kthehen në një pozicion të mëhershëm. Në këtë moment duket vështirë, sepse palët në bisedime luftojnë edhe për opinionin e brendshëm dhe kanë radikalizuar qëndrimet e tyre, duke u treguar si mbrojtës të ideve që konsiderohen se janë populliste ose që konsiderohen se janë në interes të vendeve të tyre”, ka thënë Tahiri.
Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë se tash për tash vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet peng i pozicionimeve të palëve, të cilat, sipas tij, vështirë se mund të ndryshojnë pa një presion të fuqishëm ndërkombëtar.
“Pra ose Serbia duhet të japë garanci të jashtëzakonshme dhe të qarta para BE-së dhe para Shteteve të Bashkuara të Amerikës se nuk do ta sabotojë shtetësinë e Kosovës ose SHBA-ja do të bëjë një presion të madh (ndaj Kosovës), si aleatja kryesore në arenën ndërkombëtare, me qëllim që të mundësohet vazhdimi i dialogut. Unë mendoj që kërkesa e Kosovës për njohje nga Serbia, në këtë moment, është jorealiste. Ajo mund të ndodhë pas disa muajsh dhe në një format tjetër, pra, në ndonjë konferencë të madhe, ashtu siç është duke u parashikuar”, ka thënë Muhaxhiri.
Por, a ju konvenon palëve në dialog ngecja ose zvarritja e procesit?
Politologu Tahiri ka thënë se në këtë rast zvarritja e procesit të dialogut i konvenon më tepër palës së Kosovës, për shkak se sipas tij, vendi nuk ka fituar liberalizimin vizave dhe pritjet e tjera që ka pasur nga BE-ja.
“Për këtë shkak, (Kosova) e kushtëzon edhe Bashkimin Evropian, por edhe Serbinë, në mënyrë që të faktorizohet. Ndërsa, Serbia interesohet që ta zhvillojë dialogun sa më shpejtë dhe pa parakushte, sepse Serbia, në një formë, është kthyer që nga viti 2013, si faktor kryesor në çështjen e Kosovës ose në zgjidhjen statusore të çështjes së Kosovës. Ndërkaq, pala e Kosovës duket që konsideron që më herët ka bërë gabim dhe duhet të pozicionohet sërish”, është shprehur Tahiri.
Ndërsa analisti Muhaxhiri ka vlerësuar se asnjërës palë, as Kosovës dhe as Serbisë, nuk u konvenon ngecja e procesit të dialogut. Sipas tij, përmes dialogut Kosova synon rrumbullakimin e shtetësisë, kurse që Serbia, siç ka thënë ai, pa vendosjen e marrëdhënieve të mira me Kosovën, nuk mund ta përfundojë integrimin e plotë në BE. Zvarritja aktuale e dialogut, sipas tij, po bëhet nga të dyja palët për fuqizimin e pozicioneve të tyre.
“Mirëpo, unë nuk shoh që as Kosova e as Serbia të kenë fuqi që ta zvarrisin deri në pakufi këtë proces, sepse presioni është i madh, posaçërisht pas aktivizimit të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pjesëmarrje në etapën finale të dialogut. Pra, nuk i konvenon askujt dhe nuk mendoj që kanë fuqi që ta zvarrisin dialogun. Mirëpo, kjo do të ndodhë deri në një moment kur SHBA-ja do të thotë ‘mjaft’ dhe do t’ua imponojë palës së Kosovës dhe palës së Serbisë uljen në tavolinë dhe përfundimin e dialogut”, ka vlerësuar Muhaxhiri.
Qeveria e Kosovës, më 6 nëntor të vitit 2018, pati vendosur taksën prej 10 për qind për produktet nga Serbia. Me një vendim tjetër, Qeveria e Kosovës, më 21 nëntor, vendosi taksën prej 100 për qind për produktet nga Serbia dhe kjo u bë shkak që autoritetet serbe të vendosin që të mos vazhdojnë dialogun në Bruksel, deri në heqjen e kësaj takse.