Përmirësohet gjendja me Covid 19 në Gjenevë, paralajmërohen lehtësime

19 nëntor 2020 | 08:17

Në Gjenevë sallonet e bukurisë, floktoret dhe praktikat e fizioterapisë mund të rihapen duke filluar nga e shtuna, 21 nëntor.

Qeveria e kantonit të Gjenevës e ka bërë këtë njoftim, shkruan srf.ch.

“Situata po përmirësohet, por në mënyrë që të mos prishim atë që kemi arritur në javët e fundit, ne po ecim përpara, gradualisht”, ka thënë këshilltari i Shtetit, Mauro Poggia sot për mediat.

Trajnerët sportivë përsëri do të kenë mundësi t’i stërvitin grupe deri në katër persona.

Por, qendrat e fitnesit qëndrojnë të mbyllura përveç për aktivitetet e dakorduara më parë.

Zbutja shumë e shpejtë e masave do të përbënte një rrezik serioz. Sistemi shëndetësor i Gjenevës vazhdon të jetë nën presion të fortë. Dje (e martë) janë shtruar në spitale 606 pacientë me Covid-19, 80 prej tyre në njësi të kujdesit intensiv dhe të ndërmjetëm.

Lehtësimi vjen gjithashtu për t’i parandaluar qytetarët e Gjenevës të kalojnë në kantonin Vaud, për t`u ikur kufizimeve që kanë në kantonin e tyre, përcjell albinfo.ch. “Nuk është e pranueshme që gjenevasit të shkojnë e të bëjnë në kantonin Vaud ato që janë të ndaluara këtu” është shprehur Poggia.

Qëllimi i Këshillit të Shtetit (qeverisë kantonale) është t’u japë pronarëve të dyqaneve dhe restoranteve mundësinë për t’u hapur para Krishtlindjeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me valën e…