Përparim Kryeziu merr detyrën e zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje

22 qershor 2020 | 16:14

Përparim Kryeziu do të jetë zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje. Lajmi është bërë me dije nga ky subjekt politik.

Në njoftimin për media të LV-së, theksohet se Përparim Kryeziu është i diplomuar me nderime të larta nga Universiteti i Ri i Lisbonës (Universidade NOVA de Lisboa), ku ka studiuar Sociologji Ekonomike dhe e Organizatës.

“Ai ishte bursist i programit SIGMA Agile. Studimet bachelor në Sociologji i përfundoi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, prej të cilave vitin e fundit të tyre e ka ndjekur në Universitetin e Antëerp-it (Universitetit Antwerpen) në Belgjikë duke qenë përfitues i bursës JoinEU-SEE. Të dy këto bursa të financuara nga Komisioni i Bashkimit Evropian. Përparim Kryeziu gjithashtu ka qenë bursist pionier i programit të shkëmbimit YES (Youth Exchange and Study) të financuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan, nëpërmjet të cilit vitin ka ndjekur një vit të shkollës së mesme në Vermont të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Për gati tre vjet ka qenë anëtar i shoqërisë civile. Në dy vitet e fundit ka qenë pjesëmarrës aktiv në diskutime publike mbi Dialogun Kosovë-Serbi nëpërmjet punimeve dhe analizave të shkruara dhe kontributit në debate televizive. Së fundmi, Përparimi ishte zëdhënës i Qeverisë Kurti, ndërsa tani do e ushtrojë detyrën e zëdhënësit në Lëvizjen Vetëvendosje!. I urojmë Përparimit punë të palodhshme në rrugëtimin e tij, bashkë me ne, në Lëvizjen Vetëvendosje!”, është bërë me dije në njoftimin e LV-së.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Izedin Bytyqi dhe Burim Rrecaj janë kthyer me vendim të…