
Përparim Rama: Kujtimi i babait të Thaçit do të mbetet gjithmonë një pjesë e pazëvendësueshme e historisë së Kosovës
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka ngushëlluar ish presidentin Hashim Thaçi për ndarjen nga jeta të babait të tij, Haxhi Thaçit.
“Me dhimbje të thellë, morëm lajmin për ndarjen nga jeta të babait të Hashim Thaçit, ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Ky është një moment dhimbjeje, jo vetëm për familjen Thaçi, por edhe për gjithë popullin e Kosovës, i cili ka ndjerë dhe vazhdon të ndiejë pasojat e sakrificave të shumta që u bënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit”, ka shkruar Rama në Facebook.
Rama ka theksuar se roli i babait të Hashim Thaçit ishte i veçantë në jetën e tij, duke kontribuar në formimin e karakterit dhe vlerave që udhëhoqën veprimtarinë e tij për një Kosovë të lirë dhe demokratike.
“Kjo humbje bëhet akoma më e rëndë kur vdekja e tij ndodh në kohën kur djalin nuk e kishte pranë, kur ai nuk është në Kosovë. Në këto momente të dhimbshme, ngushëllimet tona më të sinqerta shkojnë për Hashim Thaçin dhe gjithë familjen e tij, duke i siguruar ata për mbështetje dhe solidaritetin e popullit të Kosovës. Ky është një moment reflektimi, për të vlerësuar gjithashtu trashëgiminë e një jete të dedikuar për një kauzë të madhe, përpjekjet për liri dhe për një Kosovë të pavarur”.
“Urojmë që, në këtë periudhë të dhimbjes, familja të gjejë forcën dhe mbështetjen e nevojshme për të përballuar këtë humbje. Kujtimi i babait të Hashim Thaçit do të mbetet gjithmonë një pjesë e pazëvendësueshme e historisë dhe identitetit të Kosovës, që djalin ja dha luftës e ndërtimit të shtetësisë së Kosovës! Pusho në paqe!”, ka shkruar Rama.