Përparim Rama thotë se po ndodhin investime në stacionin e autobusëve
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar ndërmarrjen publike të kryeqytetit, Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.
Rama ka bërë me dije se aty panë nga afër përpjekjet dhe investimet që janë duke u bërë për të përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe shërbimet e ofruara.
“Edhe këtë vit vazhdojmë me super investime, të cilat përfshijnë modernizimin e hapësirave, përmirësimin e sistemit të informacionit për udhëtarët dhe zbatimin e teknologjive të reja për një qëndrim më të rehatshëm dhe të sigurt për të gjithë vizitorët”, ka thënë Rama.
Ai ka shtuar se projekti i madh për krijimin e Terminalit të Ri do të prezantohet në konferencën e investitorëve, e cila do të mbahet këtë fillimvit.
“Po punojmë me shumë përkushtim që të rrisim standardet e transportit publik dhe kontribuojnë në një qytet më të qëndrueshëm dhe të aksesueshëm”, ka theksuar Rama.