Përpjekja për kryengritje si momentum i ri

25 shtator 2023 | 12:18

Hajdin Abazi

Përpjekja për kryengritje, që nisi dhe përfundoi më akt terrorist më 24 shtator, është një momentum i ri, që duhet të shërbejë si alarm për të ndryshuar procesin e asaj që ka ndodhur deri më tash dhe për ta vënë në kahun e duhur dialogun.

*

Në orët e para të 24 shtatorit, një grup diversionist, i pajisur me armë, uniforma dhe automjete, atakoi një patrullë policore, duke e goditur me armë zjarri njëkohësisht nga shumë pozicione, që tregon për një organizim të mirëfilltë ushtarak. Në këtë pritë dhe luftim mbrojtës u vra një polic dhe një tjetër u plagos.

Ky nuk ishte fundi, por vetëm fillimi. Policia e Kosovës veproi me shpejtësi, duke lokalizuar diversionistët. Qysh kur u rrethuan, epilogu mund të imagjinohej.

*

Duket se ishte planifikuar qe fortifikimi të bëhej në manastirin e fshatit Banjskë, me besimin se pas vrasjes së policit shqiptar, policia e Kosovës do të vepronte si dikur policia serbe ndaj shqiptarëve: do të vriste të gjithë pa dallim si hakmarrje.

Kjo nuk ndodhi, me çka nuk u përmbushen pritjet dhe kalkulimet, e që çoi edhe në dështimin e kryengritjes së planifikuar.

*

Më 23 shtator, në ora 4 të pasdites, u takova me një mik e kolegë, dhe ndër shumë çështje, diskutuam edhe gjendjen në veri, si dhe nevojën për zgjidhjen e mirëfilltë të saj. Ndër të tjera, thashë se duket se ka nxitje që të reprizohen gjoja veprimet e UÇK-së, ani se kushtet e rrethanat janë krejt të kundërta. Deri te kjo kisha arritur përmes analizës. Nuk e besoja as vetë se të nesërmen do të ndodhte një përpjekje për kryengritje të armatosur nga diversionistë të hyrë nga Serbia.

*

Nuk ishte policia e Kosovës ajo që sulmoi, por ajo u sulmua.

Manastirin serb u mor peng nga diversionistët, ani se brenda kishte klerikë dhe thuhet edhe pelegrinë.

Me përpjekjet për të shtrembëruar atë që po ndodhte, me sa duket Beogradi ka alarmuar se mund të arrestohen, ose vriten, ose maltretohen edhe klerikët dhe pelegrinët. Këtë shqetësim e shprehu edhe BE-ja. Fundi e tregoi se policia kosovare ishte jashtëzakonisht profesioniste: diferencoi klerikët e pelegrinët nga diversionistët, duke i vënë këta të fundit në shënjestër. Dhe atyre u behej thirrje për dorëzim, por përgjigja ishte me armë zjarri, granata dhe zolla.

Sigurisht, hetimet duhet zhvilluar se a ishte e planifikuar që pelegrinët të përfshiheshin në aktet terroriste, apo ishte rastësi dhe keqpërdorim i objektit religjioz.

Kjo sjellje e policisë do të duhej t’i jepte botës argumente se ata që ndiqen janë kriminelët, banditët, terroristët, por jo – në asnjë mënyrë – qytetarët e thjeshtë. Në një objekt ku pozicionohen diversionistët, të ruhet pastërtia e aksionit policor – ky është veprim shembullor dhe një shërbim i madh që iu bë atdheut, por edhe miqve ndërkombëtar.

*

Sulmi ndaj policisë, vrasja e njërit dhe plagosja e një tjetri, bëri perëndimin të reagojë me shpejtësi, dhe ta dënojë aktin terrorist. Ambasadori Hovenier ndezi dhe qirinj për policin i vrarë! Borrel e quajti sulm terrorist, dhe ky është kualifikim i BE-së, sepse ai ishte i tillë.

Diversioni nuk ishte i rastit dhe spontan. Ai ka qenë mirë i përgatitur, sepse, sikurse e tha V. Surroi, inteligjenca e perëndimit kishte njoftuar se janë mbi 200 veta që stërviten në Serbi për t’u futur në Kosovë.

KFOR-i dhe EULEX-i ishin në vëzhgim të veprimeve të policisë. Pra kishte dëshmitarë ndërkombëtar – kjo është fatmirësi, sepse e vërteta raportohet nga forcat ndërkombëtare.

Prandaj, nuk ka asnjë dilemë se armatimi, uniformat, dhe automjetet nuk kishin nga të vinin në Kosovë, përpos nga Serbia. Kjo, pa më të voglin dyshim, do të dëshmohet.

*

Derisa SHBA, BE, NATO e Britania e Madhe e dënuan aktin terrorist, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, thirri konferencë për media në mbrëmje.

Logjika e thoshte se ai, të paktën sy e faqe botës, do të dënonte aktin terrorist. Por nuk e bëri këtë. Nuk ia nxori goja. E vetmja gjë që arriti të thoshte, ishte se “nuk duhej të vritej polici shqiptar, nuk duhej të ndodhte kjo”. As formalisht nuk u dënua akti terrorist, as i veprimit diversionist, as akti i marrjes peng të manastirit të fshatit Banjskë. Nënteksti ishte se i vinte keq se përse nuk ka arritur të përmbushej skenari, përse ai ka shkuar keq, ka dështuar.

Për më tepër, ai edhe më këtë rast, provoi të manipulonte opinionin dhe perëndimin. Ai tha se u vranë serbë, me snajperë nga policia e Kosovës. Ndërkohë, nga xhirimet, shihej se policia e Kosovës u bënte thirrje të dorëzoheshin, e ata kundërpërgjigjeshin duke shtënë me armë, dhe ishte e qartë që në raste të tilla, veprohet për asgjësim ose eliminim. Dhe sapo u dorëzuan – askush më nuk u godit. Edhe këtu, policia kosovare tregoi nivel të lartë profesionist, që duhet çmuar lart.

*

Krahasimi midis grupit diversionist serb dhe UÇK-së, e madje edhe me familjen Jashari, ishte përpjekja më e ultë për të identifikuar krimin me rezistencën. Përderisa shqiptarët ishin të përndjekur nga shteti serb, u privoheshin të drejtat dhe maltretoheshin veç pse ishin shqiptarë dhe kundërveprimi ishte lëvizje për ta hequr dhunën ushtarake serbe, kjo nuk është gjendja e minoritetit serb në Kosovë – madje është e kundërta, dhe me këtë edhe nuk ka bazë reale për nismë çlirimtare.

Luftërat çlirimtare nuk mund të importohen, ato lindin vetëm te popujt e shtypur dhe baza e luftës çlirimtare është populli, prandaj kauza e UÇK-së ishte e drejtë – sepse nuk i kishte mbetur rrugë tjetër popullit shqiptar nën Serbi përveç se me kryengritje të armatosur të mbrohej nga terrori dhe etnogjenocidi serb. Krejt e kundërta është me minoritetin serb.

*

Kur Vuçiq i quan serbë diversionistët e vrarë, ai synon të thotë se po vriten serbët e Kosovës, qytetarët e thjeshtë e të pafajshëm. Ai e di mirë se ata janë mercenarë, por përpiqet të manovrojë për të ngjallur huti te perëndimi.

Në të vërtetë, kur flitet për serbët në Kosovë, aty përfshihen disa kategori:

  1. Komuniteti serb, që janë qytetarët civilë, ata që përbëjnë shumicën e minoriteti serb;
  2. Lista serbe, që janë partitë politike të këtij minoriteti, të bashkuara nën presionin e Beogradit dhe të instrumentalizuara prej tij;
  3. Bandat, paramilitarët dhe kriminelët e ndryshëm; dhe nga 24 shtatori edhe
  4. Diversionistët, të futur nga jashtë si agresorë në territorin e Kosovës.

Presidenti serb e di mirë këtë dallim, por ai tri kategoritë e fundit i identifikon me kategorinë e parë, për të shtrembëruar të vërtetën dhe për të mashtruar perëndimin se gjoja shteti i Kosovës po i ndjekë pjesëtarët e komunitetit, kur, në fakt, kjo nuk ka ndodhë asnjëherë – të vetmit që janë ndjekur, dhe atë me mjaft kursim, është kategoria e tretë dhe tash edhe kategoria e katërt.

Perëndimi, pas diversionit të 24 shtatorit, duhet ta korrektojë perceptimin e realitetit në Kosovë, dhe të mos lejohet manipulimi i Vuçiq e i askujt me komunitetin serb kur bëhet fjalë për kategorinë e tretë dhe të katërt. Aq më tepër, që këto dy kategori, bashkë me kategorinë e dytë, e mbajnë të shtypur, të ngulfatur dhe të privuar kategorinë e parë, pra vetë komunitetin serbë.

*

Qeveritë e Kosovës kanë vepruar ndonjëherë ndoshta jo si duhet, me ndonjë nxitim dhe sidomos përjashtimisht pa u sinkronizuar me KFOR-in dhe EULEX-in, kundrejt kategorisë së tretë, por asnjëherë dhe në asnjë kohë nuk ka pasur ndonjë plan apo program kundër vetë minoritetit serb.

Gjithnjë ka qenë gabim, edhe kur ndërkombëtarët e kanë kërkuar, që të mos ndiqen bandat dhe paramilitarët, sepse ata nuk i binden paqes, por duan konflikt. Mos ndjekja e tyre me kohë, ka krijuar një strukturë që e shtyp edhe minoritetin serb.

Ndërkaq, Serbia gjithnjë ka vepruar me skenarë për të destabilizuar vendin, për të prolonguar marrëveshjen për paqe e stabilitetin, ani se vazhdimisht ka deklaruar për to, por nën tokë ka vepruar kundër, përmes instrumenteve të saja, dhe, në një farë mënyre, edhe duke e pushtuar nga brenda, minoritetin serb, duke mos i lejuar të jetojnë në realitetin e ri të Kosovës.

Shteti i Kosovës, dhe populli shqiptar është vullnetmirë për të jetuar në paqe dhe respekt të ndërsjellë me serbët e Kosovës, sepse, dashje pa dashje, historia i ka vënë në territorin e Kosovës dhe ata duhet të bashkëjetojnë me shekuj e mileniume, kur më nuk do të jenë qeveritë që i instrumentalizojnë interesat e minoritetit serb për qëllime shoviniste. Nga shteti i Kosovës vazhdimisht ata janë trajtuar si qytetarë të saj, dhe u janë dhënë të drejta e privilegje, që shqiptarëve në Luginë të Preshevës Serbia ua mohon.

*

Për perëndimorët diversioni i 24 shtatorit, duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për t’i zgjuar nga besimi i rremë se Vuçiq mund të ndërrojë “bigën”, pra të braktisë kursin gjeopolitik agresor rus dhe të futet në kursin gjeopolitik euroatlantik.

Nëse kjo do të besohet se mund të bëhet me dialog si deri më tash – është lajthitje esenciale, sepse dialogun e ka shndërruar Serbia në një mekanizëm për rulet mashtrimi, ku në njërën anë pranon dialogun e në anën tjetër e ka prolonguar dhe mund ta prolongojë edhe një e dy dekada të tjera, pa arritur në një finale, pa ndonjë marrëveshje përfundimtare. Thjesht, sepse nuk e ka për qëllim paqen, sigurinë dhe stabilitetin, por të kundërtat, dhe sidomos veprimin për minimin e shtetit të Kosovës kurrë nuk e ka ndërprerë, e me këtë edhe provokimin luftënxitës ndaj gjeostrategjisë euroatlantike në funksion te asaj ruse.

Kjo lojë destruktive duhet t’i ndërpritet Serbisë. Jo për shkak të shovinizmit serb, aspak, por për hir të popullit serb i cili përmes dialogut me Kosovën po mbahet i pushtuar, e aq me tepër për minoritetin serb – i cili po mbahet peng dhe nuk po lejohet të integrohet në lirinë e Kosovës.

*

Duket se ka pasur një dialogim me euroatlantikët për moseliminmin total të diversionistëve, dhe nëse kjo është e vërtetë atëherë është vepruar në sikroni dhe kjo i shërben paqes. Ky është një standard i lartë, dhe meriton respekt. E keqja dujet të minimizohet si për nga pasojat, ashtu edhe nga dëmi. Urrejtja e hakmarrja janë vlera të tejkaluara, zgjidhja dhe pjekuria janë vlera që sot çmohen.

*

Për qeverinë e Kosovës ky momentum duhet të jetë një pikë kthesë në raportet e saja me perëndimin përgjithësisht, e sidomos me SHBA-në dhe BE-në, për të vepruar tash e në të ardhmen në sinkroni për gjithçka.

Droja është se ky akt diversionist nuk do të jetë i fundit, sepse duket se nxitja gjeopolitike ruse për veprime agresore të Serbisë është e vazhdueshme. Kështu ishte kur u nis treni serb me parulla kundër Kosovës. Kështu ishte kur Serbia i vuri në lëvizje edhe aeroplanët luftarak gjoja nga rreziku i Kosovës. Kështu ishte edhe kur bandat e ndryshme sulmuan dhe forcat e KFOR-it. Kështu janë edhe këto njësite diversioniste.

*

Është propagandë e Beogradit ajo që gjoja minoriteti serb po ndiqet, po persekutohet, po arrestohet, burgoset e vritet. Kjo absolutisht nuk është e vërtetë. Nuk ka asnjë rast të vetëm, që ndonjë serb të jetë arrestuar për mendimin e lirë, besimin religjioz ose përkatësinë e tij etnike, veprime këto që për një shekull Serbia i kishte bërë kundër shqiptarëve.

*

Serbia po dëshiron ta hapë me çdo çmim një front të dytë lufte në Kosovë – krahas frontit të parë rus në Ukrainë dhe në shërbim të tij, e do të ishte gabim strategjik i perëndimit që në heshtje ta lejojë të ndodhë kjo. Diversioni i 24 shtatorit duhet të kuptohet si një “thikë pas shpine” për perëndimin. Nëse përpjekja për kryengritje nuk do të merret seriozisht, atëherë do të çohet mesazh i gabuar.

Serbia e kërkon zgjidhjen te dhuna e te lufta, kurse Kosova duhet ta kërkojë te politika, vetëm te politika, më konstruktivitet dhe me bashkërendim proaktiv.

Ky momentum nuk duhet të ikë, po duhet të shënojë kthesën, që çon në zgjidhjen e qëndrueshme, të paqes, sigurisë dhe stabilitetit.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Emisari gjerman, Manuel Sarrazin, ka udhëtuar dje nga Gjermanisë për…