Përpjekje për të penguar pjesëmarrjen e votuesve në referendumin në Maqedoni
Një grup pro demokracisë ka thënë se ka zbuluar përpjekje të gjera online për të penguar pjesëmarrjen e votuesve në referendumin e së dielës në Maqedoni, i cili ka të bëjë me ndryshimin e emrit të shtetit.
Komisioni Transatlantik i Integritetit të Zgjedhjeve, anëtarët e të cilit përfshijnë politikanë, si ish-nënpresidenti amerikan, Joe Biden, dhe ish-zëvendëskryeministri britanik, Nick Clegg, ka thënë se përpjekjet për pengimin e votuesve synojnë të prishin referendumin, i cili kërkon një pjesëmarrje prej 50 për qind për të qenë i vlefshëm.
Në referendum, qytetarëve do t’iu kërkohet të votojnë për marrëveshjen me Greqinë, për ndryshimin e emrit të shtetit në Maqedonia e Veriut.
Miratimi i marrëveshjes do t’i hapte Maqedonisë rrugën për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.
“Ka përpjekje të bashkërenduara për të penguar të drejtat demokratike të maqedonasve dhe për të delegjitimizuar votën e referendumit”, tha përmes një deklarate Komisioni Transatlantik i Integritetit të Zgjedhjeve.
“Maqedonasit duhet të vendosin vetë se çfarë të ardhmeje duan për vendin e tyre”, ka theksuar Komisioni në fjalë, duke shtuar se nuk është ende në gjendje për të gjetur origjinën e fushatës për ndërhyrje në referendum. (Rel)