Përplasen dy trena në Indi, pamje nga vendi i ngjarjes
Të paktën 13 persona kanë vdekur dhe 50 janë lënduar kur dy trena u përplasën në Indinë juglindore, thanë zyrtarët të hënën.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, aksidenti ndodhi të dielën vonë pasi një prej trenave të pasagjerëve kaloi një sinjal midis qyteteve Alamanda dhe Kantakapalle në shtetin Andhra Pradesh.
Një hetim paraprak zbuloi se “gabimi njerëzor” kishte çuar në përplasje, tha Ministria e Hekurudhave.
“Trembëdhjetë pasagjerë kanë vdekur dhe 50 të tjerë janë plagosur. Operacionet e shpëtimit po vazhdojnë”, ka thënë një zyrtar i lartë i qeverisë lokale.
Kryeministri indian Narendra Modi tha se kishte folur me ministrin e Hekurudhave të vendit për aksidentin “fatkeq”.
“Autoritetet po ofrojnë të gjithë ndihmën e mundshme për të prekurit”, shkroi Modi në mediet sociale.