Përplasen “Intelektualët” dhe “Skifterat”
Në fundjavë zhvillohet derbi më i madh në futbollin e Kosovës në mes të Dritës dhe Gjilanit, kurse tifozët e këtyre dy skuadrave, “Intelektualët” dhe “Skifterat”, kanë filluar garën qysh tash.
“Intelektualët” e kanë vlerësuar Gjilanin një skuadër të pabarabartë për Dritën dhe e ka akuzuar se e ka “ADN”-në në Serbi. “Derbi i Anamoravës? Një ndeshje për t’u quajtur derbi duhet të plotësohen disa kushte, fillimisht duhet që dy skuadrat të kenë në sirtar tituj kampioni dhe, së dyti, duhet të kenë vite ekzistencë ose edhe histori pas vetës. Ndeshja e radhës na vë përballë një skuadre pa traditë, pa kulture, mbi të gjitha përballë kemi një skuadër që ka tentuar ta trashëgojë historinë e ekipit te shkijeve, pra nga klubi që ka ‘ADN’ në Serbi. Për Dritën derbi i vërtetë janë kupat e Evropës, saktësisht Liga e Kampionëve, thjesht për një arsye te vetme, sepse nuk mund të quhet derbi kur një skuadër është provinciale e tjetra garon në garën me elitare për klube – Ligën e Kampionëve”, thuhet në reagimin e “Intelektualëve”.
Menjëherë ka ardhur edhe reagimi i “Skifterave”. Këta të fundit kanë vlerësuar se kundërshtarët e tyre nga Gjilani tashmë janë shuar.
“Minoriteti i qytetit me qëllim, për t’ vetëkënaqur anëtarët e vet pas disfatës së rëndë nga rivalët e tyre, ‘Plisat’, të cilët defiluan qetë në qytetin ‘me viza’, në thirrjen e derbit të qytetit, paska ushqyer me një mal gënjeshtrash tifozët e vet, duke na krahasuar me një ekip serb. Këtë retorikë të turpshme jemi mësuar ta dëgjojmë nga ta gjithmonë kur janë të shembur dhe kanë nevojë për t’u ngritur. I bëjmë me dije tifogrupit tashmë të shuar, në ndeshjen kundër KF KEK-ut nga qytetarët e Obiliqit t’i njoftojnë anëtarët e vet me parimet themelore të ekzistencës së një tifogrupi ultras, pastaj t’i thërrasin veteranët e tyre për t’ua shpjeguar origjinën e vërtetë të klubit të tyre sepse nuk na takon të mbajmë ligjërata historie për ta. Tendenca për t’u nivelizuar me ekipe evropiane është e kotë me vetë faktin se kemi harruar kur jemi mposhtur nga ekipi i tyre”, thuhet në reagimin e “Skifterave”.
/Epoka e re/