‘Përplasen’ Jashari e Lushtaku
Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, dhe ish-kryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku janë përfshirë sot në një polemik, duke drejtuar akuza ndaj njëri-tjetrit.
Bekim Jashari ka akuzuar Sami Lushtakun për keqpërdorime gjatë kohës sa ishte kryetar komune. “Unë mjaft kam duruar deri sot. I ka ardhur fundi që me çdo kusht për ta bllokuar Bekim Jasharin. Nuk janë duke e lënë asnjë formë të mundshme pa e shfrytëzuar për interesa të ngushta të tyre”, ka thënë Jashari në një konferencë për medie.
Madje, Jashari ka thënë se edhe në kohën e luftës Lushtaku e kishte sabotuar babanë dhe axhën e tij, Hamëz dhe Adem Jashari. “Mua nuk më befason sabotimi i Sami Lushtakut, sepse ai e kishte sabotuar edhe babain dhe axhën tim në luftë”, është shprehur Jashari.
Ndërsa, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, u është përgjigjur këtyre akuzave duke thënë se i pari i kësaj komune ka qenë i ri në kohen e luftës. “Bekimi ka qenë i vogël atëherë. Unë e respektoj familjen Jashari, e respektoj kryetarin aktual. Kështu që, i uroj punë të mbarë në komunë dhe i them të mos merret me vitet e ’90-ta”, ka thënë Lushtaku për “Express”.
Kryetari Bekim Jashari ka akuzuar disa asamblistë të partive politike, me theks të veçantë, ata të PDK-së se po mundohen ta bojkotojnë dhe bllokojnë punën e tij në komunë.
https://www.facebook.com/BekimHamezJashari/videos/268479253688733/