Përplasen në distancë Abazoviqi dhe Vulini, përmendet Kosova dhe “Shqipëria e Madhe”
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin, i ka reaguar zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili në një intervistë me “Nova S” ka thënë se deklaratat e Vulinit për “botën serbe” ishin të rrezikshme.
Abazoviqi ka thënë se “ne nuk kemi nevojë për botën serbe, por botën evropiane”.
Në kundërpërgjigje, Vulini e ka përmendur “Shqipërinë e Madhe”.
“Unë nuk e di se si ‘Shqipëria e Madhe’ përshtatet në ‘botën evropiane’, dhe s’e di edhe më hiç nëse në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian Ballkani shihet si pjesë e BE-së, dhe veçanërisht nuk e di se si do të na duhen edhe shumë dekada për ta zbuluar”, ka thënë Vulini.
Ai ka thënë se Abazoviqi duhet të mos e njihte shtetin e Kosovës, sepse “Serbia nuk kërkon asnjë centimetër të Malit të Zi”.
“Unë e di se kush betohet për pandryshueshmërinë e kufijve në Ballkan, ai së pari duhet ta njohë sovranitetin e Serbisë dhe të mos e njohë shtetin e rremë të Kosovës. Serbia nuk kërkon asnjë centimetër të Malit të Zi, kështu që Dritani nuk duhet ta marrë 13% të territorit të Serbisë”, ka thënë Vulini.
“Kush nuk e ka problem ‘Shqipëria e Madhe’, e shqetëson ‘bota serbe’”,ka thënë ministri serb, i cili njihet edhe për gjuhën e tij fyese ndaj shqiptarëve.
Duke komentuar deklaratën e ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, për krijimin e botës serbe, Abazoviq ka thënë “ne nuk kemi nevojë për botën serbe, por botën evropiane”.
“Unë i kam kritikuar deklaratat e tilla disa herë. Kam frikë se ne u japim atyre shumë rëndësi, edhe pse ato me të vërtetë duken të rrezikshme. Kur i japim diçkaje joserioze rëndësi të madhe, atëherë me të vërtetë bëhet shumë më e madhe seç duhet”, ka thënë Abazoviqi për “Nova S”.