Përplasën verbalisht deputeti dhe ministri i PDK-së
Një deputet dhe një ministër i PDK-së, janë përplasur në Kuvendin e Republikës së Kosovës, rreth ndërtesës së Burgut të Prishtinës dhe shndërrimit të atij objekti në muze.
Nait Hasani në fjalën e tij ka folur rreth rezolutave të shumta që janë miratuar në Kuvend, e të cilat nuk kanë karakter detyrues por vetëm formal.
Ai ka drejtuar edhe kritika në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë, që nuk kanë vepruar për të dënuar serbët që kanë kryer krime në Kosovë.
“Asnjë ministër nuk e ka qarë kokën për këtë punë”, ka thënë Hasani.
Hasani ka kritikuar edhe ministrin aktual të Drejtësisë, Abelard Tahirin, duke i thënë se pa fije ndërgjegje thotë se s’mund të bëj asgjë për të shndërruar në muze ‘Burgun e Prishtinës”, raporton “Express”.
“Kemi kërkuar nga ministri i drejtësisë që të marrë një fije përgjegjësie që Burgu i Prishtinës të shpallet burg muze, sepse pikërisht në këtë burg janë bërë tortura, vrasje, dhe pa fije përgjegjësie thotë që ne nuk mund ta bëjmë këtë, duke thënë se do të qojmë atje agjencinë atje”, ka thënë Hasani
Hasani ka theksuar se në burgun e Prishtinës ka qëndruar edhe Ukshin Hoti e Adem Demaçi dhe se duhet të ruhet si dëshmi e asaj që Serbia ka bërë në Kosovë.
“Nëse e zhdukim burgun e Prishtinës, ku do t’i gjejmë ato dëshmi. Fëmijëve tonë duhet t’iu tregojmë se çfarë ka ndodhur. Ukshini ka qenë në burgun e Prishtinës”, ka thënë Hasani.
Pas këtyre fjalëve të Hasanit ka reaguar ministri i PDK-së, Abelard Tahiri, duke thënë se deputeti në fjalë po e keqpërdorë një bisedë të cilën e kanë pasur në kafe.
Tahiri i ka thënë bashkëpartiakut të tij se “je mësuar me abuzuar”.
“Sa për korrektësi se me përmendi deputeti në fjalë, sepse e keqpërdori një bisedë që e kemi pasur ne. Ato tashmë janë hapësira që nuk shfrytëzohen nga Ministria e Drejtësisë. Unë kam dërguar një kërkesë në Qeveri. Është e pavërtetë ajo që ju e thatë. Nuk është mirë me abuzuar, me biseda që mund t’i kemi qoftë në kafe, qoftë në rrugë, por je mësuar t’i me abuzuar. Dhe, do të keni në vijim një vendim të Qeverisë sipas asaj që e keni kërkuar. Po je mësuar t’i me abuzuar”, ka thënë Tahiri.
Ndërkohë Hasani më pas e ka marrë fjalën duke i thënë ministrit Tahiri se ajo që ka thënë është një sjellje fëmijërore.
“Të paktën njihem që s’jam abuzues apo keqpërdorues. Atë që e the, ma mirë mos të kishte fol. Nuk jam keqpërdorues i fjalës. Nuk jam keqpërdorues, e as nuk dua me të keqpërdor ty, por sjellja jote është shumë fëmijërore”, ka thënë Hasani.