Përplasja Daçiq-Varheli, reagon Tahiri: Tash e paska kuptuar Daçiqi se rruga e Serbisë për në BE kalon nga Kosova
Një situatë e pakëndshme ka ndodhur në takimin e kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq dhe ministrave të qeverisë me Komisionerin e ri evropian për zgjerim dhe politikë fqinjësore, Oliver Varheli.
Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq ka sulmuar me fjalë Komisionerin Varheli, i cili më pas u largua nga mbledhja.
Një orë para se ministri Daçiq t’i bashkohej takimit dhe të zhvillonte bisedë me komisionerin për Zgjerim, Varheli biseda ishte krejtësisht normale.
Në një moment ministri Daçiq mori fjalën dhe i foli ashpër komisionerit Varheli.
Sipas raportimit të medieve serbe, gazetarët pyeten ministrin e Jashtëm serb, Daçiq pse e sulmoi komisionerin ai tha se “nuk sulmoi atë, por BE-në”.
“Unë sulmova BE-në për të mos respektuar marrëveshjen e Brukselit, për futjen e Kosovës në Kapitullin 35, kështu që tani gjithçka varet nga ata”, ka deklaruar Daçiqi.
Ndaj këtij veprimi ka reaguar ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila ka thënë se tash e paska kuptuar Daçiqi se rruga e Serbisë për në BE kalon nga Kosova.
“Daçiqi i Serbisë paska sulmuar BE-në duke kërkuar që të mos respektohet Marrëveshja e Brukselit, e cila kushtëzon rrugën e Serbisë për në BE me normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore me Kosovën. Tash e paska kuptuar Daçiqi se rruga e Serbisë për në BE kalon nga Kosova”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/