Përplasja Duka-Veliaj, UEFA zbarkon në Tiranë: Ndërhyrjet politike të papranueshme
UEFA, maksimalisht e shqetësuar nga ndërhyrjet politike në zgjedhjet e Federatës së Futbollit të Shqipërisë, do t’i dërgojë këto ditë njerëzit e saj në Shqipëri për të diskutuar në lidhje me këto çështje duke ngritur edhe shqetësimin në lidhje me sigurinë e organizimit të finales së Ligës së Konferencës në Tiranë.
Lajmi është dhënë nga agjencia prestigjioze ndërkombëtare e lajmeve “Associated Press”, në një artikull dedikuar ngjarjeve të fundit në Shqipëri që kanë gjetur pasqyrim edhe në medie të ndryshme botërore.
Fillimisht jepet lajmi për shpërthimin e lëndës plasëse në shtëpinë e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, teksa më pas bën me dije se ky incident ka nxitur qeverinë evropiane të futbollit, ta ngrejë shqetësimin e sigurisë në lidhje me Tiranën si qytet mikpritës i finales së Europa Conference League në 25 maj. UEFA i ka komunikuar “Associated Press”-it se zyrtarë të saj do të udhëtojnë shpejt në Shqipëri për të diskutuar në lidhje me shqetësimet e fundit për ndërhyrjet politike në sport para zgjedhjeve për postin e presidentit të Federatës.