Përplasja Haradinaj – Rama nuk do të duhej të ndodhte
Analisti politik Bedri Islami ka thënë se përplasja në mes të Ramush Haradinajt dhe Edi Ramës është e pakuptimtë, që ndodh mes dy shefave të qeverive, të cilët i përkasin të njëjtit komb, të ndarë në shtete të ndryshme.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Islami ka theksuar se kjo përplasje mes tyre nuk do të duhej të ndodhte. “As Haradinaj dhe as Rama nuk janë tradhtarë, por as Rama dhe as Haradinaj nuk e kanë në dorë të shesin pjesë të Kosovës, t’i ndryshojnë kufijtë apo tapërcaktojnë të ardhmen”, ka thënë ai, duke shtuar se nëse kjo histori mes tyre do të vazhdojë, do të jenë që të dy të mundur, e faji do të jetë i përbashkët.
Islami ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një platformë të përbashkët politike, ekonomike zhvillimore, arsimore, të kulturës, energjisë, të financave dhe të tregtisë
“Epoka e re”: Z. Islami, kemi lexuar disa opinione tuajat rreth debatit të fundit në mes të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, për përplasjen që kanë pasur për temën e korrigjimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky debat tanimë, përpos që vazhdon mes tyre, ka kaluar edhe në gjyq, pas padisë që ka bërë zoti Rama. Si e shihni këtë përplasje Haradinaj – Rama?
Islami: Është përplasja më e pakuptimtë që ndodh mes dy shefave të qeverive, të cilët i përkasin të njëjtit komb, të ndarë në shtete të ndryshme. Padyshim, duam a nuk duam, do të mbetet si një rast i shëmtuar dhe, në të njëjtën kohë, tragjik! I pamenduar më parë, sherrnaja mes dy shefave qeveritarë tregon se ende në politikën shqiptare mbizotëron ndjenja e tribusë, politika rurale është jo vetëm formë, por edhe përmbajtje. Mes shefave qeveritarë do të ketë kurdoherë përplasje për ide të ndryshme, vizione, mendime, perceptime politike e historike; do të ketë dallime dhe mirë është që të ketë. Por gjithnjë ata kanë hapësirën e tyre, një shtrirje që zë atë përmasë sa është e perceptueshme dhe nuk kalon në meritë, përcaktimet dhe, çfarë është më e rëndë, në gjyqet absurde. Nuk duhej të ndodhte. As Haradinaj dhe as Rama nuk janë tradhtarë, por as Rama dhe as Haradinaj nuk e kanë në dorë të shesin pjesë të Kosovës, t’i ndryshojnë kufijtë apo ta përcaktojnë të ardhmen. Përplasja mes tyre tregon se ende është në botëkuptimin e shfaqur mëria politike, e cila, aq sa ka lidhje me Kosovën, aq ka lidhje edhe me Shqipërinë që, aq sa ka lidhje me ata personalisht, aq ka të bëjë edhe me aleancat politike në të dy vendet. Kombi nuk trajtohet si politikë, as si pjesore dhe, dy shefat qeveritarë kanë anashkaluar pikërisht këtë koncept.
“Epoka e re”: Ky raport mes dy kryeministrave sa mund të ndikojë në raportet Kosovë – Shqipëri?
Islami: Në fakt, për fat të keq, do të ndikojë. Jo se këta dy shtetarë kanë forcën e ndikimit aq sa t’i ndryshojnë raportet, por ata që kanë qenë të gatshëm t’i keqësojnë këto marrëdhënie janë rizgjuar, kanë ngritur një botë tjetër, e kanë përgjithësuar sherrin mes dy shefave qeveritarë si një sherrnajë në mes të Shqipërisë dhe Kosovës. Pra, kanë ngritur një stuhi, e cila e ka derdhur kupën e saj dhe, momentalisht, duket se ka ndikuar. Është një gjendje e kalueshme, e përballueshme dhe do të bëjë një ndarje mes atyre që e përballuan këtë sherr si një sherr mes kryeçobanëve dhe atyre që menduan se kjo është zezonë. Në Kosovë këto janë të njohura. E kanë dashur këtë sherr dhe e kanë nxitur edhe para fillimit të një procesi gjyqësor. Për to, pikërisht për to, ky përbën lajm, është tragjedi, kanë vënë kujën dhe do tavazhdojnë këtë kujë. Këta janë njerëz të njohur, më shumë të tubuar rreth disa mediave që kurrë nuk e kanë dashur afrimin e Kosovës me Shqipërinë, se tek njerëzit e politikës. Politika në Kosovë, ndoshta edhe nga momenti i tashëm, u tregua më pragmatike, e heshti këtë përplasje, nuk e bëri pjesë të lojës së saj.
Në Shqipëri klasa politike, njerëzit e politikës e pritën këtë rast për ta dëshmuar patriotizmin e tyre dhe për t’iu vërsulur edhe një herë njëri–tjetrit. Të gjithë po tundin flamurin e atdhedashurisë, si të jetë monopol i tyre. Është e përkohshme. Përgjithësisht njerëzit e njohin këtë klasë politike që ka uzurpuar shtetin, e dinë se sa atdhetarë kanë qenë e janë. Po të ishin vërtet aq patriotë sa shfaqen tani, apo aq modernë sa duan të dëshmohen, do të kishim pasur një Shqipëri ndryshe, një Kosovë ndryshe, raporte të tjera, do të kishim tregti të përbashkët, politika të përbashkëta arsimore, hapje kufijsh, zhvillime shkencore të përbashkëta. Nuk kemi asnjërën prej tyre. Mentaliteti se “më mirë i pari në katund, se i dyti në qytet”, duam apo jo, është ende real në politikën shqiptare. Tjetër ndikim nuk ka dhe nuk do të ketë. Është ngritur një stuhi e përkohshme, e cila nuk do të zgjasë shumë dhe nuk do të ketë pasoja të mëtejshme.
“Epoka e re”: Si e shihni ju kapërcimin e këtij debati, fundin?
Islami: Jam i bindur se e gjithë kjo do të shuhet shumë shpejt dhe ata që do të mbeten të rënduar nga kjo histori do të jenë dy shefat qeveritarë. Nuk besoj se do të ketë gjyq. Si shumë gjëra të tjera, do të harrohet. Ata, Rama dhe Haradinaj, kanë gabuar të dy. Asnjëri prej tyre nuk është i fituar. Nëse kjo histori do të vazhdojë, do të jenë të dy të mundur. Faji do të jetë i përbashkët.
Shikoni, është e vërtetë se Rama dhe Haradinaj janë dy njerëz me karaktere të ndryshme, rrugëtim të ndryshëm politik, aq sa kanë qenë miq, aq edhe janë të larguar nga njëri-tjetri. Rama erdhi në politikë nga Parisi ku ishte i mërguar. Një rast fatkeq i familjes së tij përcaktoi edhe rrugëtimin e tij politik. Nga i djathtë ekstrem, u bë drejtuesi i së majtës. Ai ka përcaktimin se “PS nuk ma la Fatos Nano, por ia mora Fatos Nanos”, duke e trajtuar si një përleshje, e cila, herë është zbutur dhe herë të tjera ka kaluar në grotesk, për të shkuar rishtas drejt përplasjeve. Haradinaj ka qenë pjesë e një lëvizje klandestine çlirimtare, në të cilën ka bërë pjesë e gjithë familja e tij. Rama, në të njëjtën kohë kur pjesë të familjes Haradinaj ishte e burgosur, mes të cilëve shquhej Smajl Haradinaj, ishte pjesë e një nomenklature të nivelit mbi të mesmen, por kundërshtar dhe përtallës i nomenklaturës së lartë, me gjithë sistemin që mishëronte ajo.
Haradinaj hyri në politikë nga lufta, Rama nga vizatimet. I pari humbi dy vëllezër në luftë, i dyti, sapo u bë kryeministër, thirri në Shqipëri vëllanë e tij në ShBA. Unë kam punuar me Ramush Haradinaj, kemi qenë pjesë të së njëjtës organizatë politike, por edhe më pas; ai është pasionant në punë, nuk e njeh kufirin politik mes së majtës dhe të djathtës, e kërkon dhe e do pushtetin. Rama është më i artikuluar, koha e tij ka rrjedhur ndryshe, pikëpamjet e tij janë të moderuara, por duke shkuar drejt liberalizmit të pafund financiar, ka krijuar tani e, më pas, edhe më shumë, një greminë financiare. Haradinaj si njeri është i besuar, kurrë nuk e kam kthyer kokën, mendoj si njeri i politikës, kur jam ndarë me të, ai ka miq të shumtë që do t’i ketë edhe kur të mos jetë në politikë. Rama, sipas bindjes sime, nuk ka miq, rënia e tij nga politika do të jetë edhe vetmia e tij njerëzore; oligarkët do ta lënë në vetminë e tij, por edhe ata që sot besojnë verbërisht tek ai, qoftë në Kosovë apo në Shqipëri, një ditë mund të gjenden të larguar nga miqësia e tij.
Kanë edhe të përbashkëta. Që të dy janë njohës të mirë të gjuhëve të huaja. Në gjuhë të huaj merren vesh më mirë se në gjuhën shqipe, kjo figurativisht. Haradinaj flet shumë mirë disa gjuhë, mes të cilave anglisht, gjermanisht, italisht, finlandisht, serbo-kroatisht, ndërsa shqipja e tij është ende okale, e Rrafshit të Dukagjinit e, po ashtu, edhe Rama flet shkëlqyeshëm mjaft gjuhë të huaja. Unë kam bindjen se të dy e duan Shqipërinë dhe Kosovën, nuk kanë ndërmend as ta shesin dhe as ta copëtojnë dhe, e gjithë kjo që ndodhi, më shumë sesa mendësi politike e Kosovës, ka fillesën në Tiranë. Sherrnaja e Tiranës zbriti në Prishtinë në këtë formë amorfe, të pabukur dhe të padenjë. Nëse nuk do të merren vesh në gjuhën shqipe, ku Rama është mjeshtër i vërtetë, një ditë, nëse Haradinaj do të ishte kryeministri i Kosovës, do të ishin marrë vesh në anglisht, pra një fuqi ndërkombëtare, anglishtfolëse, do t’i kishte ulur përballë njëri–tjetrit, do t’i kishte mbyllur në një dhomë dhe do t’u thoshte se nuk do të dilnin jashtë saj pa u kuptuar me njëri-tjetrin. Ne, shqiptarët, merremi vesh më mirë jo në gjuhën shqipe.
“Epoka e re”: Ku mendoni se duhet të forcohet më shumë bashkëpunimi Kosovë – Shqipëri?
Islami: Kudo mund e duhet të forcohet, në të gjitha fushat. Jemi të vonuar, madje shumë. 20 vjet pas çlirimit të Kosovës hapat që janë bërë janë të vegjël, pak të dukshëm dhe, edhe më pak efektivë. Pas ngjarjeve të vitit 2001, pranverën e këtij viti, shteti serb ngriti një strukturë të posaçme, të përbërë nga pak politikanë, por më të shumtën akademikë, profesorë të njohur, gjeologë, ekspertë të njohur të sigurisë, hartografë etj. për tashkundur shtetin e Kosovës që po vinte në hartën politike të Evropës. Programi i tyre është aq i detajuar sa nuk janë harruar as imtësitë më të vogla. Për shembull, njëri prej tyre është dhe çmitizimi i familjes Jashari, vendi ku nisi rrokullisja e tyre.
Kosova dhe Shqipëria nuk kanë ende një platformë të përbashkët, kur kjo duhej të kishte filluar të ngrihej që në vitin 2000. Nuk kemi një platformë të përbashkët politike, ekonomike zhvillimore, arsimore, të kulturës, energjisë, të financave, të tregtisë. Akademikët tanë, duke risjellë ndërmend një thënie të Hamzë Jasharit, i kanë futur veshët në lesh.
Ne një kohë jo të largët në Kosovë ishin idhuj të atdhedashurisë akademikë të shquar si Çabej, Buda, Kostollari, Uçi, Kadare, Agolli, Demiraj, Mejdani etj., në Shqipëri njerëzit vraponin për të takuar Idriz Ajetin, Anton Çettën, Rexhep Qosjen, Ali Hadri ishte një shëmbëlltyrë politike dhe atdhedashurie; me gjithë ndarjen politike përsëri kishte programe të përbashkëta.
Sot pak veta i njohin akademikët e Shqipërisë në Prishtinë dhe aq më pak akademikët e Kosovës në Tiranë. Duhen përmbysur këto raporte. Më së pari, duhet krijuar një komitet i përbashkët, që të ndërtojë strategji të përbashkëta, të detyrueshme për t’u zbatuar nga dy qeveritë. Nëse ndodh kjo, atëherë shefat qeveritarë nuk do të kenë kohë të zihen me njëri–tjetrin dhe të kënaqen duke gjetur epitete të pahijshme.
“Epoka e re”: Dalim pak edhe te situata e fundit në Kosovë, zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar dhe mundësia për krijimin e institucioneve në Kosovë. Sipas jush, pse gjithë kjo vonesë në krijimin e qeverisë së re, kur kemi parasysh zotimet e LV-së dhe të LDK-së se menjëherë pas 6 tetorit do t’i formojnë institucionet. A mund të arrihet një koalicion mes këtyre dy partive apo opsion shihni një qeveri teknike apo shkuarje në zgjedhje të reja?
Islami: Në politikë, më shumë se kudo, hesapet e shtëpisë nuk dalin në pazar. Përbetimet parazgjedhore harrohen. Fillojnë llogaritë e ftohta, duke synuar secila të jetë në rolin e luanit. Por, askush nuk dëshiron të jetë nën këmbët e tij, aq më tepër LDK-ja, një forcë politike që është mësuar të bëjë llogari të ftohtë dhe mungesën e një lideri si Rugova ta zëvendësojë me krijimin e forcave të tjera. LDK-ja bën dhe ka bërë gjithnjë llogari gjakftohta. Ajo nuk të jep gishtin pa e ditur se të merr krahun.Nga ana tjetër, nuk e kam menduar se edhe LV-ja do të jetë kaq naive, e përciptë dhe momentale. Jam prirë gjithnjë të besoj se lideri i saj i padiskutueshëm, në fakt lideri më i lexuar që është në Kosovë, do të dijë ta gjejë mesoren e artë, pa e dëmtuar Lëvizjen e tij por, mbi të gjitha, pa e dëmtuar Kosovën.
Bashkimi mes LV-së dhe LDK-së do të jetë i vështirë por, edhe nëse bëhet, do të jetë i mundimshëm. Ëndërrimtarët e LV-së nuk mund të jenë në një kohë të gjatë dhe të suksesshme me pragmatikët e LDK-së, kur kjo e fundit ka një fillesë krejt ndryshe politike nga ajo e LV-së.
Kam besuar se Albin Kurti do të dalë nga stanjacioni, jo përmes një loje të lexuar dhe të pabukur politike por, si kam pritur, përmes arsyes së duhur, qëndrimit të fortë dhe mendimit racional. LDK-ja, por edhe ai vetë, e futën në një lojë, me dhimbje e them këtë, që nuk është e denjë për figurën e tij, sidomos për figurën e pritur. Unë, personalisht, do të isha për një qeveri teknike, gjithëpërfshirëse, të kufizuar në kohë, të themi njëvjeçare, që do t’i përgatiste zgjedhjet e reja, por në të cilën të mos përfshihej PDK-ja, e cila ka zgjedhur rrugën e qëndrimit në opozitë dhe mendoj se duhet të jetë në opozitë. Ajo duhet tashërojë veten për të qenë pjesë e shërimit të plagëve të Kosovës.
“Epoka e re”: Dhe një pyetje për fund. Këto ditë qe për vizitë në Kosovë dhe Serbi i dërguari i posaçëm i ShBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, pas arritjes së marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë – Beograd, e cila mori përkrahje nga liderët në Kosovë, por që u kundërshtua nga shoqëria civile për mungesë transparence. Kjo vizitë e Grenellit, a mund të cilësohet si presion për arritjen e shpejtë të marrëveshjes finale Kosovë –Serbi?
Islami: Së pari marrëveshja finale Kosovë – Serbi është ende larg. Më larg nga sa mund të mendohet, pasi problemet mes dy shteteve janë të shumta, të rënda dhe që ende nuk kanë filluar të kenë kahun e zgjidhjes. Histori tragjike qëndrojnë ende pezull dhe, si duket, qeveria serbe as që mundohet të ketë zgjidhje. Në të kundërtën, ajo po bën gjithçka është e mundur për tapërmbysur realitetin e shtetit të Kosovës. Nga ana tjetër, së dyti, nuk është thjesht presion, është dëshirë e ShBA-së për të gjetur një zgjidhje dhe çdo administratë e lartë amerikane, edhe kjo e sotmja, kërkon të ketë një sukses, zgjidhje. Mendoj se është një fillesë e re e qëndrimit të njohur amerikan. Nga ana tjetër, e gjithë kjo marrëveshja ishte në një tis të thellë fshehtësie, sikur të kishte një ndjenjë frike se do të pengohej. Ende nuk dihet asgjë rreth negociatave për të, ashtu si nuk dihet asgjë për një marrëveshje të re në ndërlidhjen hekurudhore. Kosova është një moment kyç, ndoshta nga më të rëndësishmit në periudhën pas pavarësimit të saj. Së shpejti, mendoj, do të ketë ngjarje që mund të tronditë skenën politike. A do të përballohet ajo? – këtë do tadëshmojnë muajt në vazhdim, por unë jam i bindur se po.
(Mal Qorraj)