Përplasja Muçiqi – Batatina, përmenden ndërtimtaria dhe kazinotë
Nënkryetari i skuadrës së Prishtinës, Afrim Muçiqi duke folur për akuzat e Llapit që Prishtina i ka marr nga Federata e Futbollit të Kosovës 38 mijë euro, ka thënë se këto akuza janë të pavërteta. Madje Muçiqi ka shkuar edhe me larg, duke thënë se Batatina në futboll ka ardhur nga ndërtimtaria.
“Nuk është absolutisht e vërtetë qe i kemi marre 38 mijë euro. Le te këqyr ai Batatina a Zhatatina s’po di qysh me i thënë, skuadrën e vet, ka ardhur nga ndërtimtaria në futboll. Federata e ka shlyer një borxh qe ka pas ndaj Prishtinës për te drejtat televizive”, ka thënë Muçiqi për “SuperSport”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i drejtorit të Llapit, Tahir Batatina. Ky nuk ka hezituar t’ia përmend edhe kazinotë nënkryetarit të Prishtinës.
“I nderuari Afrim Muqiqi, unë nuk vi nga një familje që i fyej njerëzit, nuk vi nga një familje pa moral, nuk i përkas një familje që luajmë kockë dhe as bixhoz. Për këtë e din opinioni i gjerë shumë mirë prandaj ndihem i lumtur dhe krenar para qytetarëve te vendit tim dhe shtetit tim”, ka thënë Batatina.
“E vërtetë se e menaxhoj një ndërmarrje të fuqishme, por profesionistët e udhëheqin ndërsa menaxhimin e bëjë unë dhe jam krenar për këtë sepse ne menaxhojmë edhe tri firma ne shtetet moderne dhe Evropiane, por me nder dhe respekt duke i respektuar njerëzit, duke e ruajtur familjen dhe duke kontribuar për vendin. E vërtetë se zëri nuk na shkon që të këndojmë, bixhozi jo, kocka jo e as bastoret jo sikurse ty e këto t’i fali për gjithë jetën”, ka shkruar Batatina në “Facebook”.
Tahir Batatina ia ka rikujtuar Muçiqit edhe kontributin që ka dhënë në luftën çlirimtare dhe më pas edhe në Forcat e Sigurisë së Kosovës.
/Epoka e re/