Përplasje Biden-Zelensky, presidenti i SHBA: I thashë se Rusia do të sulmonte, nuk më dëgjoi. Kundërpërgjigjet Kievi
Përplasje deklaratash mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës. Presidenti Joe Biden, konfirmoi se homologu i tij, Volodymyr Zelenski, “nuk i dëgjoi” paralajmërimet amerikane përpara nisjes së luftës nga Rusia.
“E di që shumë mendonin se po e ekzagjeroja, por isha i bindur se kishim informacione të mbështetura në të dhëna dhe analiza të sakta”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Biden shtoi se nuk kishte asnjë dyshim që Putin do ta kalonte kufirin.
“Zelensky nuk na dëgjoi, ashtu si shumë persona të tjerë. E kuptoj motivin, por në fund Putin e bëri”, u shpreh presidenti amerikan. Ai nënvizoi se asgjë e tillë nuk kishte ndodhur më parë që prej Luftës së Dytë Botërore. Replika e Ukrainës për këto deklarata ishte e shpejtë.
“Presidenti Zelensky u kërkoi partnerëve perëndimor që të vendosnin sanksioneve parandaluese kundër Rusisë, përpara nisjes së luftës, por nuk u dëgjua”, tha zëdhënësi i presidencës, Sergei Nikiforov.
Gjithashtu kërkoi sqarime të tjera lidhur me deklaratat e Biden. Dy presidentët kanë zhvilluar një sërë bisedash telefonike përpara 24 shkurtit, kur Putin nisi luftën duke futur mbi 100 mijë trupa në territorin e Ukrainës./A2