Përplasje e ashpër mes Sejdiut e Abdixhikut për rrëzimin e Qeverisë
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës është karakterizuar me debate të ashpra sidomos në mes të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Socialdemokrate (PSD) për rrëzimin e Qeverisë.
Fillimisht shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, ka thënë se në gushtin e vitit të kaluar, kur ai ishte në Vetëvendosje e kanë ftuar LDK-në për ta rrëzuar Qeverinë, ndërsa ata nuk janë përgjigjur.
“Pikërisht në këtë kohë, në gushtin e vitit të kaluar ju kemi lutur për ta rrëzuar Qeverinë dhe na keni thënë se nuk keni kohë për të biseduar, e tash mos na moralizoni kot”, ka thënë Sejdiu, i cili ia ka dorëzuar deputetit të LDK-së Lumir Abdixhiku nënshkrimet e 12 deputetëve të PSD-së për inicimin e mocionit për rrëzimin e Qeverisë.
Ndaj këtyre akuzave ka reaguar deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai ka thënë se LDK-ja do të jap votat për rrëzimin e Qeverisë, që sipas tij edhe me votat e Vetëvendosjes janë 57. Por ai ka thënë se mocioni nuk mund të ngritët pa u bërë 61 vota dhe për këtë duhet punuar.
Abdixhiku ka thënë se PSD-ja për Ligjin e Pallatit të Rinisë, e ka mbështetur këtë Qeveri, por me një gjë të tillë nuk është pajtuar Sejdiu.