Përplasje e ashpër ndërmjet opozitës, përfshihen Molliqaj, Hoti e Konjufca
Deklaratave të deputetit të Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqajt se LDK-ja dhe Vetëvendosje nuk kanë pasur rrugë tjetër përpos kthimit të tyre në Kuvendin e Kosovës dhe se deputetët e këtyre dy partive kanë frikë nga presidenti Hashim Thaçi, kanë nxitur reagimet e shefave të grupeve parlamentare të LDK-së dhe LV-së.
“Pozicioni i LDK-së, i Vetëvendosjes e Alternativës nuk ka ndërruar, ka ndërruar pozicionimi i PSD-së. Me u marrë ai me opozitën nuk është e ndershme, mos t’i mbajmë ligjërata njëri-tjetrit, e mos të flasim për asociacionin”, i është kundërpërgjigjur Molliqaj shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.
Në kundër-replikën e tij Molliqaj ka treguar se strategjia opozitare ka pasur efekt zero.
“Z. Hoti nuk e di çka po quan anë. Qëndrimi i PSD-së është shumë i qartë. Strategjia opozitare që ka zero efekt, faleminderit. Strategji opozitare që e rrëzon Qeverinë, ejani. PSD-ja ka edhe njerëz edhe përvojë ta bëjë këtë. Sa i përket dialogut kemi konsistencë të plotë”, ka thënë Molliqaj, raporton “kallxo.com”.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se Molliqaj nuk mund të moralizojë para tyre lidhur me strategjinë opozitare.
“Dardan Molliqaj ia paska huq krejt bojkotit të Kuvendit. Nuk është çështje ideologjike, por krejtësisht taktike. Këtu s’ka çka na moralizon për ketë taktike. Nuk është parimore, por është veprim që ne e konsiderojmë që është duhur edhe i ndryshojmë kur të na konvenon. Për Kosovën, çështja më e rëndësishme është me e ndal Hashim Thaçit që po iu tërheq zvarrë, e vagoni i fundit është PSD-ja. Nuk mund të flasim për platformë se qysh me ia bo një ekip Hashim Thaçit, ai është shqetësim i PDK-së dhe PSD-së”, ka deklaruar Konjufca.