‘Përplasje’ mes PDK-së dhe Nismës për zonën ekonomike në Malishevë
Propozimi për themelimin e zonës ekonomike në Malishevë nuk ka kaluar të martën në kabinetin qeveritar.
Kjo për arsye se dy ministra të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besim Beqaj i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Abelard Tahiri i Drejtësisë kanë kundërshtuar mënyrën e krijimit të kësaj zone, me arsyetimin se kinse ka implikime financiare.
Mirëpo nga ministri i MTI-së, Bajram Hasani është bërë me dije se janë kryer të gjitha procedurat ligjore që parasheh ligji, ashtu sikurse janë kërkuar edhe për zonat tjera ekonomike.
Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se kjo pikë le të shtyhet për mbledhjen e radhës së Qeverisë.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke investuar për zonë ekonomike në Viti, Suharekë dhe Vushtrri, ndërsa është kërkuar nga kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, që ta gjej hapësirën që të bëhet investimi edhe në këtë qytet.
Njëkohësisht MTI-ja është zëvendëskryesuese e komitetit për themelimin e Zonës ekonomike amerikane.
Të gjitha këto punë janë bërë brenda mandatit të ministrit Bajram Hasani që vjen nga Nisma Socialdemokrate.