Përplasje ndërmjet SBAShK-ut dhe MAShT-it për kompensim të orëve të humbura
Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) dhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK) në Kosovë nuk po arrijnë të gjejnë zgjidhje të përbashkët për kompensim të orëve të humbura mësimore përgjatë grevës së mësimdhënësve, e cila zgjati tre javë.
Ministra e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, ka vendosur që orët e humbura mësimore gjatë grevës së mësimdhënësve të kompensohen, porse me këtë vendim nuk po pajtohet SBAShK-u.
Valmir Gashi, këshilltar politik i ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se vendimi i kësaj ministrie është në përputhje me interesin e nxënësve në mënyrë që të rikuperohet dëmi që iu është shkaktuar atyre nga greva.
Ai ka thënë se vendimi për zëvendësimin e orëve është marrë në koordinim me drejtoritë komunale të arsimit dhe se sugjerimet e tyre janë futur edhe në vendim.
“Nuk ka asnjë dispozitë ligjore që e ndalon zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, madje vendimi është marrë në përputhje të plotë me udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2018/2019”, ka thënë Gashi.
Mësimdhënësit, më 14 janar patën nisur grevën, e cila zgjati për tri javë, me kërkesën për rritjen e koeficientit të pagave për 30 për qind. Greva ishte ndërprerë pas marrëveshjes me institucionet përgjegjëse, se Ligji i ri për paga do të përafrojë kërkesën e tyre.
Ligji i ri për paga është miratuar në Kuvendin e Kosovës në muajin shkurt.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka dekretuar ligjin, mirëpo bazuar në Kushtetutën e Kosovës, Ligji hyn në fuqi edhe pa nënshkrimin e presidentit.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se vendimi për kompensim të orëve të humbura i Ministrisë së Arsimit është i njëanshëm dhe në kundërshtim me Ligjin për grevat dhe kontratën kolektive të arsimit në Kosovë.
“MAShT-i është dashur të komunikojë me ne dhe të bisedojmë për çështjen e zëvendësimit dhe vendimi të mos jetë i njëanshëm. Kemi reaguar se Ligji mbi grevat nuk obligon të punësuarit në cilindo sektorë që janë në grevë, t’i kompensojnë orët. Greva është e drejtë ligjore dhe grevën nuk e dëshiruam ne, por institucionethezituan që të realizojnë me dialog kërkesat tonë dhe ne hymë në grevë. Po ashtu, gjatë grevës, mësimdhënësit kanë qenë në vendin e tyre të punës”, ka thënë Jasharaj.
Shkrimi i plotë në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/perplasje-mes-sindikates-dhe-ministrise-per-kompensimin-e-oreve-te-humbura/29796560.html.