‘Përplasje’ në Komisionin për Zhvillim Ekonomik për Ligjin për Automjete
Deputetët opozitarë, Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Dardan Sejdiu nga Partia Socialdemokrate (PSD) si dhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa, të cilët janë anëtarë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, kanë lëshuar të martën mbledhjen e këtij komisioni si shenjë kundërshtimi ndaj raportit me rekomandime rreth Projektligjin për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.
Deputetja Kusari-Lila ka deklaruar se ky projektligj rrezikon gjendjen e mjedisit në Kosovë. “Duke marrë parasysh kundërshtimet që ky projektligj i sjell për mjedisin, ne nuk qëndrojmë në takim për ta kaluar këtë projektligj”, ka thënë Kusari-Lila.
Sipas deputetit të PDK-së, Memli Krasniqi, ky vendim i anëtarëve të opozitës ishte qesharak dhe i turpshëm.
“Është më shumë se qesharak dhe i dobët që nuk ka të bëjë me interesat e opinionit publik. Le të tregojnë se çfarë kanë bërë për ambientin. Po flasim për dy ish-ministra. Çfarë kanë bërë për ta ulur ndotjen. Pra, kjo çfarë bënë sot është më shumë se humor dhe turp. Obligimi i tyre është për të votuar kundër. Duhet për t’ju ardhur marre”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, e ka quajtur hipokrizi veprimin e deputetëve të opozitës. “Nuk mbaj mend a ka ardhur ndonjëherë Kusari-Lila. Opozita ka qenë dendur e përfshirë në këtë projektligj. Logjika që të votohet në komision ligji dhe pastaj të bojkotohet seanca, mendoj se është më së paku hipokrizi”, ka thënë Nitaj.
Kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Sala Berisha-Shala, ka thënë se vendimet e deputetëve opozitarë janë për ponë politik.
Edhe përkundër bojkotit të opozitës, ky komision ka miratuar raportin me rekomandime për plotësim ndryshimin e Projektligjit për Automjete.
Kuorumin pas largimit të opozitës e bëri deputeti Adem Hodza nga Lista Serbe.
Në mbledhjen e këtij komisioni paraprakisht është miratuar raporti për Projektligjin për efiçiencë të energjisë si dhe u vendos që shqyrtimi i propozim vendimit të Qeverisë për kandidatët për kryesues të Bordit të ZRRE-së të hiqet nga rendi i ditës dhe t’i kthehet prapa Qeverisë.