Përplasje në Speciale në mes të Prokurorisë dhe mbrojtjes së ish-krerëve për dëshminë e “Remit” në seancë
Komandanti i zonës së Llapit, Rrustem Mustafa, pritet të jap dëshmi në Gjykatën Speciale të Hagës.
Kjo dëshmi, ka shkaktuar përplasje në seancën e sotme që po mbahet në Hagë. Kjo pasi Prokuroria në momentet e fundit ka kërkuar që dëshmitë e mëhershme të Remit të merren parasysh, në mënyrë që sipas tyre “të kursehet koha”.
Pra, Prokuroria kërkoi që Remi të mos shkojë në seancë për të konfirmuar dëshmitë e mëhershme, por vetëm të përgjigjet në kundër-pyetjet e mbrojtjes.
Nëse dëshmitë e Mustafës merren parasysh, atëherë mbrojtja me gjasë nuk do të ketë kohë të parashtrojë pyetjet e saj në detaje.
Kjo ka shkaktuar kundërshtime të ashpra nga avokatët. Nacionale sjell repilikat e tyre.
Deklarata e Luka Misetiq – avokat i Thaçit:
Duke marrë parasysh qëndrimi në seancën përgatitore, ZPS-ja ka ndryshuar strategjinë. Dëshmitari nuk dëshiron që të thotë gjëra të tjera më tej se çka ka thënë në deklaratë, kjo nuk do të thotë se deklarata duhet të pranohet sipas rregullës. Ne nuk identifikojmë logjikën pse po ndodhë kjo, dhe pse kërkohet që deklarata të pranohet në këtë mënyrë. Duke marrë parasysh atë që ka ndodhur në seacën përgatitore, kjo është faktor i arsyeshëm që të mos pranohet kërkesa e ZPS-së, sepse dëshmitari nuk ka bërë korrigjime e rishikime nga deklaratat e tij të mëparshme.
Këtij dëshmitari i është thënë si i dyshuar në intervistë. I është thënë se duhet ta thotë të vërtetën, nëse jo mund të përballet me ndjekje penale, dhe ne parashtrojmë që me Kodin Penal të Kosovës kjo është në kundërshtim me atë që duhet t’i thuhet dëshmitarit. Ky është faktor që duhet ta merrni parasysh. Problemi me këtë është se i dyshuari mund të ketë një motiv për të mbrojtur veten nëse merret në intervistë si i dyshuar, dhe kjo është arsye tjetër pse duhet ta dëgjojmë drejtpërdrejt dëshminë e këtij dëshmitari. Efikasiteti dhe koha nuk duhet të shkurtohet për dëshmitarët e nivelit të lartë, parashtrojmë që do të kemi të bëjmë me efikasitet të kohës gjyqësore nëse për dëshmitarë të tillë ne dëgjojmë dëshminë e tyre në sallën e gjyqit dhe të mos pranojmë dëshminë e tyre mbi bazën e rregullit 154. Dëshmitarët e tillë duhet të japin dëshminë e tyre këtu.
Prokuroria nuk dëshiron t’i sqarojë këto dhe ia kalon mbrojtjes, dhe i thotë mbrojtjes bëni pyetjet që doni. Kjo është cenuese për mbrojtjen, dhe nuk është kërkesë që përmbush kriteret e rregullit 154.
Deklarata e avokatit të Kadri Veselit:
Ky material nuk është i qartë, dëshmitari përballet me deklarata kontradiktore dhe është përgjegjësia e mbrojtjes të sqarojë gjërat që nuk janë të qarta dhe kjo është punë që duhet ta bëjmë me kundër-pyetje. Na duhet më shumë kohë nga këndvështrimi ynë i mbrojtjes, por kursimi i kohës nuk do të jetë në ato dimensione që u parashtruan nga prokuroria. Ne dëshirojmë të dëgjohemi sepse ne do të kërkojmë të paktën 1 ditë kohë, një shtyrje 1 ditë që të riorganizohemi. Fakti që kjo doli në pah gjatë seancës përgatitore të dëshmitarit, do të doja të di më shumë për interesat e drejtësisë që shfaqen këtu. Ky dëshmitar është unike dhe problematike, dhe do të ishte problematike nëse pranohet dëshmia e tij sipas rregullës 154. Dëshmitari është intervistuar si i dyshuar. Taktikat e intervistës janë të tilla që mund të shërbejnë për të çuar në përfundime të ndryshme.
Deklarata e Jeffrey Roberts, avokatit të Rexhep Selimit:
Nga perspektiva e Prokurorisë kjo intervistë është bërë 4 vjet më përpara dhe ka një kohë të gjatë ndërhyrje kur mund të ishin bërë diskutime e kërkesa të tjera, dhe të ishin kostatuar mënyra se si të merremi me dëshmitarin në fjalë. Prokuroria nuk e bëri punën e vet,priti 3-4 ditë për të parë se si do ta trajtojë dëshminë. Kjo nuk ka qenë aksidentale, kjo është një pozicion i ZSP-së që do që ta bëj punën e përfunduar t’iu detyrojë juve që ta pranoni dëshminë e dëshmitarit sipas kërkesës së ZPS-së.